Çmimet në Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të rriten më shpejt se sa pritej. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara të mërkurën, inflacioni vjetor në shtator arriti në 3.7%, nga 3.4% një muaj më parë. Shtrenjtimi i energjisë është ndër shkaqet kryesore: nafta ka arritur nivele rekord dhe benzina është shtrenjtuar ndjeshëm.
Kathryn Vaughn, 46 vjeçe, është mësuese arti në një shkollë fillore në një zonë rurale të Tenesisë. Për të mbajtur familjen katërantëshe, ajo punon në tri vende. Pas mësimit punon me të rinjtë në rrezik, bën bizhuteri me dorë për një dyqan lokal dhe shet rroba e sende shtëpiake në internet. Madje shkruan edhe nekrologji për të fituar diçka më shumë. Megjithatë, thotë ajo, as kjo nuk mjafton.
Familja ka anuluar një udhëtim në Florida për të vizituar prindërit e saj, sepse karburanti kushton shumë. Vetëm materialet shkollore për djalin pesëvjeçar i kushtuan 130 dollarë. “Është e vështirë këtu”, thotë ajo për BBC-në.
Në Kaliforni, 39-vjeçari Punal Bhavsar shpresonte që 2026 të ishte viti kur do të blinte shtëpi. Normat e larta të interesit dhe kostoja e jetesës ia kanë prishur planet. Benzina që përdor ai kushton afro 6 dollarë për gallon, rreth 1.6 dollarë për litër. Ai thotë se në zgjedhjet e mesit të mandatit në nëntor do të votojë vetëm duke pasur parasysh çmimet e karburantit.
Në Utah, Caitlin Green kujton se mishin e grirë e blinte 2 dollarë për paund, e sot e paguan 8 dollarë, nga rreth 4.4 në 17.6 dollarë për kilogram. Shpenzimet mujore të familjes së saj për ushqim janë dyfishuar, nga 200 në 400 dollarë.
Edhe sondazhet tregojnë pesimizëm të thellë. Indeksi i besimit ekonomik i Gallup-it, që mat nga -100 deri në +100 se si i shohin amerikanët ekonominë, ra në -40 në shtator. Një anketë e verës e The Guardian tregoi se 95% e të anketuarve mendojnë se SHBA-ja ndodhet në një krizë përballueshmërie të çmimeve.








