Shkruan; Prof. Dr. Fadil Maloku, sociolog
Tirana edhe sot është në flakë! Kështu shkruajnë shumica e medieve botërore! Është e dhimbshme kur sheh skenat me tymnaja nëpër rrugët e kryeqytetit shqiptar nga Prishtina, por, njëkohësisht, është edhe një lloj krenarie e shprese se kjo revoltë e studentëve do ta ndryshojë shtetin amë për të mirë. Si vrojtues, po bëj përpjekje të jap një përshtypje nga “gryka” jonë sociologjike.
Fillimisht, duhet konstatuar që përshtypja jonë nuk do të ishte interesante sikur të merrej vetëm me përshkrimin e revoltës studentore, por ajo që meriton vëmendjen e publikut gjithëshqiptar është interpretimi i saj si simptomë relevante e një krize më të gjerë të marrëdhënies ndërmjet kontingjenteve të brezit të ri (“Tik-Tok”) dhe rendit të piramidës së krimit dhe korrupsionit që e ngriti qeverisja e mykur, e korruptuar dhe e kriminalizuar e Edi Ramës, bashkë me “triadën bermudiane” (qeveritarë–oligarkë–kriminelë–patronazhistë) antishqiptare.
Pra, çështja sociologjike nuk “banon” vetëm te shkaku se përse po protestojnë tashmë edhe studentët, por te ajo se çfarë ka ndodhur me besimin qytetar në raport me institucionet që u ngritën jo mbi sundimin e ligjit, e as mbi normat, standardet, po edhe rregullat evropianoperëndimore, por mbi autoritetin e grupeve dhe klaneve klandestine kriminale dhe të korruptuara që ndërtoi “arkitekti” politik në stilin e një “ajatullahu” lindor?!
Së këndejmi, revolta studentore që po ndodh aktualisht nëpër rrugët e Tiranës duhet të “lexohet” edhe si një lodhje dhe një moment i përplasjes ndërmjet pritshmërive të një gjenerate që nuk duron më këto padrejtësi kulmore institucionale, por që kërkon mobilitet shoqëror për t’i përmbushur këto pritshmëri e standarde, sikurse ato të vendeve dhe shteteve evropiane. Në këtë kontekst, përplasja me policinë mund dhe duhet të shndërrohet në një pikë kthese radikale për ta ndryshuar në tërësi këtë “piramidë” pseudo-shtetërore dhe pseudo-kombëtare të “ajatullahut” Edi Rama.
Prandaj, flakët në rrugët e Tiranës nuk duhen kuptuar vetëm si një dëshmi automatike e një pakënaqësie spontane, e as si veprim i grupeve të ndikuara nga shërbimet e jashtme inteligjente, por si një pakënaqësi e akumuluar prej dekadash që nuk arriti t’i përmbushë pritshmëritë e premtuara sociale, politike e sidomos ato ekonomike të pushtetit autokratik të mashtruesve socialistë.
Ajo që ua rekomandoj organizatorëve të kësaj revolte, përveç insistimit për ndryshimin e kursit në sferën e arsimimit dhe të punësimit, është që të bëjnë përpjekje që këtë revoltë ta amputojnë edhe në shtresat e tjera sociale, të cilat po ashtu janë të kërcënuara nga politikat dhe veprimet diskriminuese të sistemit autokratik të “ajatullahut” Edi Rama, në mënyrë që kjo revoltë historike ta ndryshojë me themel koalicionin dhe “triadën bermudiane” (oligarkë–grupe kriminale–pushtetmbajtës).
A vazhdon mobilizimi, a organizohet më mirë dhe a prodhon kërkesa të qarta, apo shpërndahet pas përplasjes?
Këto të dhëna do të ndihmonin të dallohej një protestë sektoriale nga një lëvizje e mundshme shoqërore.
Për krahasim historik, ia vlen të shqyrtohet edhe lëvizja studentore shqiptare e viteve 2018–2019, e cila nisi me kërkesa konkrete për tarifat dhe kushtet e studimit, por u përball edhe me çështje më të gjera të përfaqësimit dhe besimit institucional.
Sepse Shqipëria ka nevojë imediate për reforma thelbësore sociale e ekonomike dhe se zemërimi shoqëror që po demonstrohet aktualisht nëpër rrugët e Tiranës nuk është vetëm pasojë e rritjes së hendekut midis shtresave të shoqërisë, ku “triada bermudiane” ka vënë nën kontroll dhe varësi absolute shoqërinë shqiptare, por edhe pasojë e rritjes së hendekut ndërmjet asaj që qytetarët besojnë se meritojnë dhe asaj që realisht mund të arrijnë në jetën e tyre. Kësaj narrative të pakënaqësisë kolektive, kur i shtohen dallimet e thelluara ekonomike bashkë me perceptimet mbi drejtësinë, meritokracinë dhe mundësitë e barabarta, e kuptojmë se sa e thellë është kriza shqiptare dhe se ndryshimi është i pashmangshëm!
Uroj që ky ndryshim rrënjësor të ndodhë në mënyrë paqësore dhe “triada bermudiane” të hyjë në histori së bashku me “arkitektin” e rrejshëm politik, “ajatullahun” Edi Rama!








