Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përshëndetur vendimin më të fundit të Qeverisë së Kosovës për themelimin e Grupit Punues që do të merret me hartimin e strategjisë mbrojtëse për ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tashmë të dënuar nga Gjykata Speciale.
Përmes një deklarate, Haxhiu konfirmoi se Kuvendi do të jetë pjesë e kësaj nisme shtetërore.
Ajo bëri me dije se në mbledhjen e radhës të Kryesisë së Kuvendit do të propozojë caktimin e një përfaqësuesi nga Kryesia, i cili do të bëhet pjesë e këtij Grupi Punues.
“Aktgjykimi i 16 shtatorit ishte i padrejtë dhe i pasaktë. Në këtë fazë, është thelbësore që procesi në Apel të mbështetet nga një strategji e përbashkët shtetërore, me angazhim të koordinuar dhe mbështetje të plotë institucionale. Kuvendi do të jetë pjesë e këtij angazhimi. Në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë, do të propozojmë delegimin e një përfaqësuesi të Kryesisë në këtë Grup Punues, në funksion të kontributit institucional për një mbrojtje sa më të mirë në procesin e Apelit”, ka thënë mes tjerash Haxhiu.
Qeveria ka formuar grup punues për hartimin dhe bashkërendimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e Apelit para Dhomave të Specializuara në rastin e katërshes së UÇK-së.
Grupi do të kryesohet nga zëvendëskryeministri Glauk Konjufca.








