Një meteorit që goditi çatinë e një shtëpie në Nju Xhersi të SHBA-së mund t’u ndihmojë shkencëtarëve të kuptojnë më mirë origjinën e jetës në sistemin tonë diellor. Analizat e fragmenteve të tij kanë zbuluar gjurmë të ujit të kripur të lashtë dhe aminoacide që mund të kenë origjinë jashtëtokësore.
Meteori u përplas në çatinë e një shtëpie në Hillsborough, në qarkun Somerset, më 16 korrik 2024. Zbulimet janë prezantuar në një studim të publikuar në revistën shkencore Science Advances, të realizuar nga disa shkencëtarë të NASA-s.
Sipas NASA-s, njëri nga banorët e shtëpisë ishte astronom amator dhe e kuptoi shpejt se objekti i rënë mund të kishte vlerë shkencore. Ai i mblodhi fragmentet duke përdorur doreza mbrojtëse dhe i ruajti në mënyrë të sigurt, deri në dorëzimin e tyre te institucionet përkatëse, raporton people.
Shkencëtarët analizuan pamjet filmike të trajektores së meteoritit, si dhe mostrat e mbledhura, për të përcaktuar origjinën e tij brenda sistemit diellor.
“Kur kemi të dokumentuar si një top zjarri, ashtu edhe rikuperimin e shpejtë të meteoritit, mund të mësojmë jo vetëm nga çfarë përbëhet shkëmbi, por edhe nga cila pjesë e brezit të asteroidëve vjen”, tha Peter Jenniskens, autori kryesor i studimit dhe astronom i meteoritëve në Qendrën Kërkimore Ames të NASA-s në Kaliforni dhe në Institutin SETI.
Ekzaminimet me mikroskopë të fuqishëm zbuluan depozitime të mbetura nga uji i kripur i lashtë, i njohur si shëllirë. Këto gjurmë u ofrojnë studiuesve informacione për asteroidin nga i cili ishte shkëputur meteori.
Autorët e studimit zbuluan gjithashtu se uji i kripur përmban aminoacide që gjenden rrallë në Tokë dhe që, sipas hulumtimit, “ka të ngjarë të jenë me origjinë jashtëtokësore”.
Zbulimi mund të ndihmojë në kuptimin e mënyrës se si uji ndikoi në formimin dhe zhvillimin e trupave shkëmborë në sistemin e hershëm diellor, miliarda vjet më parë.
“Nëse e ndiqni ujin nëpër sistemin diellor, në të vërtetë jeni duke ndjekur jetën”, tha Mike Zolensky, studiues i meteoritëve dhe një nga bashkautorët e studimit, gjatë diskutimit të rezultateve të hulumtimit për NASA-n.
“Ndjekja e historisë së ujit nëpër sistemin diellor është një pjesë thelbësore për të kuptuar origjinën e jetës”, shtoi ai.
Ndërkohë, pronarët e shtëpisë, të cilët kanë zgjedhur të mbeten anonimë, i thanë televizionit ABC 6 se e kishin kuptuar pothuajse menjëherë se po përjetonin një ngjarje të jashtëzakonshme.
“E kuptuam pothuajse menjëherë se ajo që na ndodhi ishte jashtëzakonisht e rrallë dhe ndjemë përgjegjësi për ta ruajtur meteoritin për komunitetin shkencor”, deklaruan ata.
“Është ende e pabesueshme të mendojmë se ky meteorit udhëtoi nëpër hapësirë për miliona vjet, përpara se ta përfundonte udhëtimin e tij në shtëpinë tonë. E gjithë kjo përvojë ka qenë e jashtëzakonshme dhe ndihemi të nderuar që kemi pasur një rol të vogël në avancimin e njohurive shkencore përmes studimit të tij”, shtuan pronarët.








