Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, ka zhvilluar një takim me homologun e tij nga Estonia, Margus Tsahkna, në kuadër të Forumit të Sigurisë në Varshavë, ku është diskutuar për perspektivën evropiane të Kosovës dhe sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Përmes një postimi publik, Konjufca ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar për integrimin evropian të Kosovës, sigurinë rajonale dhe bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve.
Ai ka theksuar se kërcënimet që, sipas tij, burojnë nga Serbia, veprimet hibride dhe ndikimi rus paraqesin sfida të vazhdueshme për stabilitetin e rajonit.
“Kërcënimet që burojnë nga Serbia, veprimet hibride dhe ndikimi keqdashës rus na kujtojnë se paqja nuk është një gjendje që mund të merret si e mirëqenë, por një përgjegjësi që kërkon angazhim të vazhdueshëm”, ka shkruar Konjufca.
Sipas tij, integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian nuk është vetëm çështje e perspektivës së vendit, por lidhet drejtpërdrejt edhe me sigurinë e kontinentit evropian.
“Integrimi evropian i Kosovës është pjesë e forcimit të kësaj paqeje dhe të sigurisë së vetë Evropës”, ka deklaruar ai.
Konjufca ka vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Estonisë për Kosovën, duke kujtuar se takimin e parë me ministrin Tsahkna e kishte zhvilluar në vitin 2024.
Ai e ka cilësuar Estoninë si shembull në fushën e qeverisjes digjitale dhe sigurisë kibernetike.
Në fund, Konjufca ka falënderuar homologun estonez për miqësinë dhe mbështetjen ndaj Kosovës, si dhe për gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.








