Përplasje për projektligjin që prek 55 milionë euro, deputetët e PDK-së dhe AAK-së lëshojnë mbledhjen

Mbledhja e Komisionit për Buxhet, ku ishte paraparë shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, ka dështuar për mungesë kuorumi.
Shkak për këtë u bë mospajtimi mes deputetëve lidhur me mënyrën e prezantimit të projektligjit, pasi në mbledhje nuk ishte i pranishëm ministri përkatës.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mergim Lushtaku, kundërshtoi vazhdimin e shqyrtimit pa praninë e ministrit, duke kërkuar që kjo pikë të shtyhej.

“Ne kemi pasur praktikë që të kemi vetëm ministrin, nuk është mirë që të ndryshojmë këtë. Përderisa nuk kemi përfaqësues nga ministria, më duket e arsyeshme që të mos mbahet kjo pikë e rendit të ditës”, deklaroi Lushtaku.

Në anën tjetër, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbërie Nagavci, kërkoi që komisioni të votonte për mundësinë që projektligjin ta prezantonte zëvendësministri ose sekretari i ministrisë. Ajo theksoi se miratimi i tij ka rëndësi për buxhetin e shtetit.

“Ky projektligj ka kaluar në lexim të parë edhe në legjislaturën e kaluar. Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij ligji, mundëson plotësimin e 55 milionë eurove të buxhetit të shtetit. Duke pasur parasysh ligjin, unë ju ftoj kolegë deputetë që të votojmë mundësinë që zëvendësministri, sekretari, të jetë prezent dhe ta prezantojë ligjin”, tha Nagavci.

Përplasje për ligjet e kthyera nga Kushtetuesja

Gjatë mbledhjes, debati u zgjerua edhe te mënyra e hartimit dhe miratimit të ligjeve, pasi deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, kritikoi praktikën e ndjekur nga shumica parlamentare.

Ajo pretendoi se ligje të caktuara janë kthyer nga Gjykata Kushtetuese për shkak të shkeljeve procedurale, duke akuzuar pushtetin për mosrespektim të Kushtetutës.

“Në praktikën e Kuvendit jo shumë ligje kanë rënë nga Gjykata Kushtetuese, po vijmë prapë në pikën se asnjëherë nuk keni bërë ligje si duhet. Po vijmë në një situatë ku shpejt e shpejt po bëhen ligje që pastaj po dërgohen në Kushtetuese. Rruga më e shkurtër shkon te Gjykata Kushtetuese dhe tregon se ju jeni shkelës të mëdhenj të Kushtetutës”, u shpreh Haxhiu.

Këtyre pretendimeve iu kundërpërgjigj kryetari i komisionit, Enver Haliti nga Vetëvendosje, i cili tha se ligjet në fjalë nuk janë shpallur antikushtetuese, por janë kthyer për shkak të mosrespektimit të afateve procedurale.

“Janë për shkak të afatit që mes dy leximeve nuk kanë qenë 72 orë”, tha Haliti.

Edhe deputeti i LVV-së, Valon Hoti, mbrojti këtë qëndrim, duke theksuar se çështja lidhej me kohën e pamjaftueshme për shqyrtimin e ligjeve nga deputetët.

“Asnjë nga ligjet nuk ka qenë antikushtetues, ka qenë për shkak të kohës së shkurtër që deputetët t’i lexojnë ato ligje. Tjetër gjë është shkelje, tjetër gjë është tejkalim i procedurës”, deklaroi Hoti.

Haxhiu dhe Nagavci shkëmbejnë akuza

Debati u ashpërsua më tej mes Teuta Haxhiut dhe Arbërie Nagavcit, të cilat shkëmbyen akuza lidhur me respektimin e Kushtetutës.

“Arbërie Nagavci është shkelëse e Kushtetutës, jeni shkelës numër një të Kushtetutës”, deklaroi Haxhiu.

Nagavci u përgjigj duke bërë të ditur se ka ngritur padi ndaj Haxhiut dhe se pret që rasti të trajtohet nga gjykata.

“Unë kam bërë padi për të, nuk do të më ndalë, pres që gjykata ta shqyrtojë rastin, tendenca e saj për shpifje do të evidentohet”, tha Nagavci.

Haxhiu më pas ngriti pretendime edhe për përfshirjen e Nagavcit në çështje që lidhen me mësimdhënësit dhe trajnimet, duke përmendur edhe motrën e saj.

“Për atë që kam thënë e përmendi, ka ndërhyrë në çështje të mësimdhënësve duke kërkuar të shkojë në një trajnim. Motra e saj ka qenë drejtoreshë e organizatës, i ka thirrur me shku në trajnim kjo dhe vetë motra e saj”, deklaroi Haxhiu.

Pas përplasjeve, zëvendësministri u ftua që ta prezantonte projektligjin, por edhe kjo mënyrë u kundërshtua nga Mergim Lushtaku dhe Teuta Haxhiu.

Si rrjedhojë, për shkak të mungesës së kuorumit, Komisioni për Buxhet nuk arriti të vazhdonte mbledhjen dhe shqyrtimin e projektligjit.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit