Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka ngritur shqetësimin mbi praninë ushtarake të Serbisë përgjatë vijës kufitare me Kosovën.
Në një intervistë për median “Talking With TVP World”, Maqedonci deklaroi se Serbia ka vendosur 48 baza ushtarake dhe të xhandarmërisë pranë kufirit me Kosovën, duke e krahasuar këtë pozicionim me strategjinë që përdori Rusia përpara pushtimit dhe aneksimit të territoreve ukrainase.
“Serbia po mbështet gjithashtu grupet kriminale në Kosovë, të cilat merren me kontrabandë dhe aktivitete të tjera kriminale, me qëllim që të destabilizojë Kosovën dhe, përmes destabilizimit të saj, të kërcënojë edhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që të paraqitet si një aktor i rëndësishëm dhe të ndjekë interesat e saj hegjemoniste ndaj të tjerëve”, ka thënë Maqedonci në një intervistë.
Ai tutje ka shtuar se Serbia po e ekspozon Kosovën ndaj kërcënimeve duke pozicionuar kapacitetet e saj ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.
“E shohim se Serbia, përveç veprimeve hibride kundër vendit tonë, po e ekspozon Kosovën edhe ndaj kërcënimeve, duke pozicionuar kapacitetet e saj ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën. Janë 48 baza ushtarake dhe të xhandarmërisë së forcave ushtarake dhe policore serbe të vendosura pranë vijës kufitare me Kosovën. Kjo na ngjan me atë që bëri Rusia para aneksimit të Ukrainës”, ka thënë ai.








