Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka pranuar mesazhe urimi nga presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, dhe ai i Kroacisë, Zoran Milanoviq, me rastin e marrjes së detyrës.
Presidenti italian, Sergio Mattarella, ka shprehur dëshirën që bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Italisë të marrë një shtysë të re dhe të thellohet më tej.
Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e përparimit të Kosovës në reformat e brendshme, të cilat synojnë afrimin e vendit me Bashkimin Evropian, duke ritheksuar mbështetjen e Italisë për këtë proces.
“Shpresoj gjithashtu që, gjatë mandatit tuaj, Kosova të arrijë përparim konkret dhe të qëndrueshëm në reformat e brendshme të nevojshme për ta afruar vendin me familjen e përbashkët evropiane. Në këtë rrugëtim sfidues, Kosova do të mund të mbështetet në përkrahjen tonë”, thuhet në letrën e Mattarellës.
Ndërkaq, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit me Kosovën, me theks të veçantë në sigurinë dhe stabilitetin në Evropën Juglindore.
Milanoviq ka ritheksuar mbështetjen e Kroacisë për integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, veçanërisht në Bashkimin Evropian dhe NATO.
“Kroacia do të vazhdojë të mbështesë integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe formatet e bashkëpunimit rajonal, me theks të veçantë në anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, ka shkruar ai, duke shprehur shpresën për një takim të afërt me presidenten Shiroka-Pula për të diskutuar perspektivat e zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.








