Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar ndaj deklaratave të zëvendëskryeministrit serb, Ivica Daçiq, se “herët a vonë flamuri serb do të valojë mbi Prizren”, si dhe paraqitjes publike të Milan Radoiçiqit në tubimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Kragujevc.
Përmes një reagimi në rrjetin social “X”, Konjufca ka deklaruar se ambiciet territoriale të Serbisë ndaj Kosovës janë dëshmuar sërish, duke theksuar se retorika e tillë tregon se synimet e Beogradit nuk i përkasin vetëm së kaluarës.
Ai ka përmendur edhe paraqitjen e Radoiçiqit, i cili kërkohet nga Interpoli në lidhje me sulmin në Banjskë, për të cilin Konjufca e ka cilësuar organizator.
Sipas ministrit, deklaratat e Daçiqit dhe paraqitja publike e Radoiçiqit nuk janë provokime të izoluara, por tregojnë, sipas tij, vazhdimësinë e një politike që ndërthur pretendimet territoriale me mungesën e llogaridhënies për sulmin e armatosur.
Konjufca ka vlerësuar se Serbia nuk mund të pretendojë se synon paqen dhe integrimin evropian, ndërkohë që zyrtarët e saj sfidojnë sovranitetin e Kosovës dhe Radoiçiqi shfaqet publikisht, në vend që të përballet me drejtësinë.
Ai i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që t’i dënojë këto veprime dhe të kërkojë llogaridhënie.
“Sovraniteti i Republikës së Kosovës nuk është i negociueshëm, dhe as drejtësia për sulmin terrorist në Banjskë”, ka theksuar Konjufca.








