Kush po e helmon debatin publik?

Shkruan: Arianit Koci

Ankohemi për sharjet dhe fyerjet në komentet e portaleve dhe Facebook-ut. Fajin ua lëmë të paarsimuarve, profileve anonime e sidomos një pjese të diasporës.

Por ky përgjithësim është i padrejtë. Këtë klimë e ushqejnë edhe njerëz me shkollim, emër dhe pozitë.

E kam ndier vetë në lëkurën time pasi dorëzova njoftimin në Gjykatën Kushtetuese.

Çështja u bë virale dhe, krahas debatit, erdhën sharje e sulme personale. A ajo që më shqetëson më shumë është roli i figurave publike që e ushqejnë këtë klimë.

Prandaj po ndalem te veç dy prej tyre, si shembull si nuk duhet të veprohet: deputetja e VV-së, Elvira Ibrahimi Hoti, dhe Shpend Lila, menaxher në Innovation Centre Kosovo (ICK).

E para përfaqëson qytetarët dhe paguhet me paratë tona. I dyti punon me trajnimin e të rinjve. Prej të dyve pritet shembull që i inkurajon njerëzit të flasin pa frikë.

1.

Deputetja e VV-së, Elvira Ibrahimi Hoti, që zhvendos debatin te motivet

Në postimin e saj, deputetja më kujton qëndrimin për funksionimin e institucioneve dhe shmangien e zgjedhjeve. Publikon edhe gatishmërinë time të mëhershme për kandidim për president dhe thotë se stabiliteti duhet të jetë “mbi çdo interes tjetër”.

Unë kam kërkuar krijimin e institucioneve. Madje kam protestuar për këtë. Por kam kërkuar që ato të krijohen duke respektuar Kushtetutën. Vullneti politik nuk e arsyeton moszbatimin e saj. Këtu nuk ka kundërthënie. As gatishmëria ime për kandidim nuk e rrëzon argumentin kushtetues.

Postimi e zhvendos debatin nga çështja te motivet e mia. Në komentet poshtë tij shfaqen fjalë si “fytyrë tradhtari”, tallje me terapinë dhe pretendime se “ma ka mbushë gushën srpska”.

Etiketimi si tradhtar nuk mbeti vetëm aty. Gjatë këtyre ditëve kam marrë dhjetëra komente të tilla, që më krijojnë përshtypjen e një klime të rënduar.

2.

Tallja në vend të argumentit

Shpend Lila e krahasoi veprimin tim me nxënësin që ia kujton arsimtares detyrat. Vazhdoi me ankesën për qepët në burek.

Pasi ia përmenda postimet në emision, më krahasoi me nxënësin që “kallxon”. Pastaj iu përgjigj me të qeshura një komenti për flokët e mi.

Tri postime. Në asnjërin nuk gjeta kundërargument kushtetues. I kuptoj shakatë, por këtu shoh përqeshje të përsëritur. Poshtërimi personal nuk bëhet humor vetëm pse disa qeshin me të.

Kjo merr peshë për shkak të rolit të tij.

ICK-ja aftëson të rinj dhe mbështet idetë e tyre. Financohet nga Ambasada e Suedisë, ndërsa themelimin e mbështeti Ministria e Jashtme e Norvegjisë. Puna e tij mbështetet edhe me para publike.

Si i inkurajon të rinjtë të marrin iniciativa, kur një iniciativë qytetare e pret me tallje?

Organizata shpall respektin dhe një ambient të sigurt për të folur. Sjellja e tij bie ndesh me atë shembull.

3.

Kur përqeshja bëhet ushqim për kërcënimin

Këtij debati i bashkohet edhe një aktore, me shpjegimin se paskam “nevojë për vëmendje”. Edhe këtu, gjykimi për motivet zë vendin e përgjigjes për çështjen kushtetuese.

Personi bëhet shënjestër.

Sidoqoftë, Deputetja dhe Shpendi kanë përgjegjësi publike edhe për komentet fyese në profilet e tyre.

Kur i shohin sulmet dhe heshtin, kjo mund të kuptohet si miratim i heshtur. Kur përqeshjes i përgjigjen me të qeshura, për mua është përkrahje.

Këtu qëndron thelbi.

Përqeshja dhe tallja e ushqejnë klimën ku sulmet personale kalojnë shpejt në etiketim si “tradhtar”. Pasojnë kërcënimet.

Dikush e bën këtë me qëllim. Dikush pa e menduar pasojën. Por rezultati është i njëjtë: krijohet presion që i shtyn njerëzit të heshtin.

Mua nuk më trembin. Jam kalitur. Do të vazhdoj të flas.

Por jo të gjithë. Dikush mund të ketë një ide të dobishme që bie ndesh me mendimin e turmës. I sheh sulmet, mendon “a ia vlen?” dhe hesht.

Kështu dëmtohet liria e shprehjes.

Ajo na duhet sidomos për tema të ndjeshme dhe për mendime që shumicës nuk i pëlqejnë. Përndryshe, mbeten të flasin vetëm ata që thonë atë që turma dëshiron ta dëgjojë.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit