Prokurori special, Bekim Kodraliu, ka deklaruar në fjalën hyrëse në procesin gjyqësor ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit se provat që do të paraqiten gjatë gjykimit, sipas Prokurorisë, do të dëshmojnë se të akuzuarit kanë ndihmuar dhe i kanë shërbyer Agjencisë së Inteligjencës së Serbisë (BIA).
Sipas Kodraliut, veprimet e tyre kanë cenuar rendin kushtetues dhe jetën e qytetarëve të Kosovës.
“Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, të cilët veç e veç kanë kryer veprën penale ‘Spiunazhi’, ndërsa i akuzuari Muharrem Qerimi akuzohet edhe për mbajtje të paautorizuar të armëve, për të cilën vepër në shqyrtim fillestar e ka pranuar fajësinë”, ka thënë Kodraliu.
Prokurori special ka deklaruar se, sipas provave që do të administrohen në gjykatë, BIA po zhvillon aktivitete spiunazhi në Kosovë dhe se për këtë ekzistojnë prova konkrete.
Ai ka përmendur më shumë se 30 raporte policore, raportin e Agjencisë së Forenzikës së Kosovës, konfirmime zyrtare nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), si dhe dokumente e materiale të tjera.
Në mesin e provave të përmendura janë raportet për hyrje-daljet në Serbi dhe kthimin në Kosovë brenda së njëjtës ditë, dokumentacioni, foto-albumet me fotografi nga lufta në Kosovë dhe materiale të tjera që, sipas Prokurorisë, lidhen me rastin.
Kodraliu ka pretenduar se Bedri Shabani e kishte ndërlidhur spitalin e Mollopolcit me të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” në Shqipëri.
Sipas tij, Shabani, nga një periudhë e pacaktuar deri në arrestimin e tij më 5 qershor 2024, dyshohet se e ka ndihmuar BIA-n përmes Sërgjan Rosiqit, duke mbledhur dhe dërguar informacione, dokumente dhe libra që lidhen me ngjarjet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Prokurori ka thënë se këto veprime dyshohet se janë kryer përmes komunikimeve telefonike dhe takimeve fizike me Rosiqin.
Pretendimet e Prokurorisë do të shqyrtohen gjatë procesit gjyqësor, ndërsa gjykata do të vlerësojë provat dhe përgjegjësinë penale të të akuzuarve.








