Pas disa ditësh hetime, Policia ka identifikuar dhe ndaluar një person të dyshuar lidhur me rastin e rëndë të 30 shtatorit në Vushtrri, ku një 27-vjeçar ishte rrahur brutalisht dhe në vendin e ngjarjes ishin gjetur edhe gëzhoja armësh.
Burimet bëjnë me dije se bëhet fjalë për Naim Maxhunin, i cili është identifikuar nga Sektori Rajonal i Hetimeve pas veprimeve intensive hetimore.
Incidenti kishte ndodhur rreth orës 00:45, në rrugën “Xhavit Mulaku”, afër “Urës së Hekurit” në Vushtrri, ku ishte gjetur i lënduar rëndë Luan Lokaj.
Sipas deklarimit të viktimës, ai ishte sulmuar nga disa persona të panjohur me mjete të forta, ndërsa njëri prej tyre kishte shtënë disa herë me armë në ajër.
Viktima kishte pësuar lëndime në kokë, frakturë në hundë dhe fraktura në gishta të të dy duarve, ndërsa pas trajtimit fillestar në Vushtrri ishte dërguar për trajtim të mëtejmë në QKUK.
Në vendin e ngjarjes ishte gjetur edhe një VW Caddy i dëmtuar pasi kishte goditur një shtyllë të ndriçimit publik. Po ashtu, janë gjetur dhe sekuestruar katër gëzhoja, një karikator me pesë fishekë dhe një fishek tjetër brenda automjetit.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, më 7 tetor hetuesit e kanë ftuar Naim Maxhunin të paraqitet në Polici, ndërsa ai është lajmëruar po atë ditë dhe është intervistuar në prani të avokatit.
Ai është intervistuar nën dyshimin për veprën penale “Vrasje në tentativë në bashkëkryerje”.
Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, Maxhuni është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për identifikimin dhe rolin e personave të tjerë të dyshuar po vazhdojnë.








