Është arrestuar personi që dyshohet se sulmoi gazetarin Jeton Sopa gjatë protestës së 5 tetorit në Prishtinë.
Burimet bëjnë me dije se bëhet fjalë për Liridon Gecin, i cili është identifikuar pas analizimit të video-incizimeve të siguruara nga burime të hapura.
Incidenti kishte ndodhur rreth orës 10:00, në Sheshin “Skënderbeu”, afër hyrjes së Kuvendit të Kosovës, ku gazetari i portalit “Kosova News” kishte raportuar se ishte goditur nga prapa, në pjesën e qafës, nga një protestues.
Pas analizimit të pamjeve dhe ndërmarrjes së veprimeve hetimore, Policia ka arritur ta identifikojë personin e dyshuar.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Liridon Geci është lokalizuar më 7 tetor, rreth orës 00:20, para Hotel Grandit në Prishtinë, ku edhe është ndaluar.
Ai më pas është shoqëruar për intervistim dhe është marrë në pyetje në cilësinë e të dyshuarit, në prani të avokatit.
Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, Geci është ndaluar për 48 orë.
Rasti po hetohet për veprën penale “Sulm”.








