Ish-kreu i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas miratimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm në mbrojtje të së drejtës së Kosovës.
Haradinaj tha se, pavarësisht vështirësive, çdo punë mund të përfundojë kur ekziston vullneti dhe angazhimi.
“Dje u kry një punë e mirë në Kosovë, u votua Ligji për Kufizimet për Dhomat e Specializuara. Ky ligj e ndihmon të drejtën tonë. Urime Kosovë, urime Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, urime çlirimtarë që padrejtësisht po mbaheni në Hagë”, tha Haradinaj.
Ai gjithashtu uroi presidenten e zgjedhur, Justina Shiroka-Pula, duke i uruar sukses në detyrën e re.
Haradinaj, deklaroi se tashmë vendi ka nevojë për krijimin e një opozite të fortë dhe se partia e tij është gati të marrë përgjegjësi për të përballur, siç e ka cilësuar ai, keqqeverisjen.
“Qytetarë të dashur, ende punët tona mbeten pa kry. Një punë e rëndësishme është përballja e keqqeverisjes në vend. Në demokraci qytetari ka nevojë për opozitë të vërtetë, për opozitë të fortë. Ta ndihmojmë krijimin e mirëfilltë të një opozite të fortë e të pathyeshme. Aleanca është e gatshme të marrë përgjegjësinë bashkë me ju që ta përballim keqqeverisjen në interes të popullit të Kosovës”. ka deklaruar ai.








