Akademikja Justina Shiroka-Pula, e propozuar nga kryeministri Albin Kurti për Presidente të Kosovës, ka një karrierë të gjatë në fushën e ekonomisë dhe akademisë, por ka ushtruar edhe funksione politike dhe institucionale.
Në vitin 2025, Shiroka-Pula është zgjedhur kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), duke u bërë gruaja e parë që udhëheq këtë institucion, i themeluar në vitin 1975. Në këtë detyrë ajo pasoi akademikun Mehmet Kraja.
Shiroka-Pula shkollimin fillor dhe të mesëm e ka përfunduar në Prishtinë, ndërsa në vitin 1976 ka diplomuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.
Studimet pasuniversitare në fushën e teorisë dhe politikës së zhvillimit ekonomik i ka përfunduar në vitin 1984 në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Universitetit të Zagrebit.
Ajo është doktoruar në Universitetin e Prishtinës me tezën e doktoratës me titull “Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”.
Karrierën profesionale e ka nisur në Bankën Popullore të Kosovës, ndërsa në vitin 1978 ka filluar punën si ligjëruese në Fakultetin Ekonomik.
Sipas biografisë së publikuar nga ASHAK, Shiroka-Pula ka ndjekur edhe studime pasdoktorale në Universitetin e Linzit në Austri dhe në Universitetin e Arizonës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo ka kryer gjithashtu trajnime të ndryshme profesionale në universitete ndërkombëtare.
Pas përfundimit të luftës, Shiroka-Pula është angazhuar edhe në shoqërinë civile, kryesisht në fushën e fuqizimit të grave, barazisë gjinore, zhvillimit të bizneseve dhe ndërmarrësisë.
Në politikë, ajo ka shërbyer si ministre e Energjisë dhe Minierave të Kosovës nga viti 2008 deri në vitin 2011. Më pas, nga viti 2011 deri në vitin 2014, ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës.
Tashmë, emri i saj është propozuar nga kryeministri Albin Kurti për postin e Presidentes së Republikës së Kosovës, në kuadër të përpjekjeve për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.








