Pas refuzimit të profesorit Bekim Sejdiu për postin e presidentit dhe kundërshtimit të kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, për votimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara para zgjedhjes së presidentit, kryeministri Albin Kurti ka paraqitur një tjetër propozim për kreun e shtetit.
Kurti ka propozuar Justina Shiroka-Pulën, kryetaren e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, si kandidate për presidente. Shiroka-Pula aktualisht udhëheq AShAK-un dhe është zgjedhur në këtë pozitë në dhjetor të vitit 2025.
Ky propozim erdhi pasi Hamza kishte kundërshtuar që fillimisht të votohej Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe më pas të votohej për presidentin në të njëjtën seancë.
Më herët, Kurti kishte propozuar Glauk Konjufcën dhe Feride Rushitin për këtë pozitë, por Hamza i kishte cilësuar si kandidatura politike.
Hamza kishte deklaruar se qëllimi i Kurtit ishte që të zgjidhej një president politik dhe të përmbyllej, sipas tij, “kapja e institucioneve të shtetit”.
Kurti, duke iu përgjigjur këtij qëndrimi, ka bërë një propozim të ri. Ai ka thënë se nëse 22 deputetët e PDK-së zotohen se do të marrin pjesë në votimin për president, atëherë deputetët e tij do ta votojnë paraprakisht Projektligjin për Dhomat e Specializuara.
“Pastaj, votimi për presidente, Justina Shiroka Pula, kryetare e Akademisë së Shkencave, ish-ministre e PDK-së në Qeverinë Thaçi I”, ka thënë Kurti.
Shiroka-Pula është aktualisht kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Ajo është përmendur edhe në diskutimet e mëhershme politike për pozitën e presidentit.








