Kryetari i Degës së LDK-së në Obiliq, Xhafer Gashi, ka njoftuar dorëheqjen e parevokueshme nga të gjitha pozitat që mban në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Vendimi i tij vjen pas mosvotimit nga LDK-ja të ligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, që sipas Gashit ka shkaktuar indinjatë të thellë te anëtarësia e Degës së LDK-së në Obiliq, përfshirë asamblistët.
Gashi ka thënë se e ndan këtë shqetësim dhe se, për shkak të qëndrimit të partisë për këtë çështje, nuk mund të vazhdojë t’i mbajë pozitat e tij në LDK.
“Prandaj, jap dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha pozitat e mia në Lidhjen Demokratike të Kosovës”, ka shkruar Gashi.
Ai ka renditur tri pozitat nga të cilat është larguar:
Anëtar i Këshillit të Përgjithshëm;
Anëtar i Kryesisë;
Kryetar i Degës së LDK-së në Obiliq.
Në reagimin e tij, Gashi ka folur edhe për të kaluarën e tij gjatë luftës dhe angazhimin për çlirimin e Kosovës. Ai ka përmendur bashkëpunimin me ish-komandantë dhe pjesëtarë të UÇK-së, duke theksuar se mbrojtja e dinjitetit të luftës çlirimtare dhe kërkesa për drejtësi, sipas tij, tejkalojnë kufijtë partiakë.
Gashi ka thënë se drejtësia duhet të përcaktojë përgjegjësinë individuale mbi bazën e provave dhe në një proces të paanshëm. Ai ka shprehur gjithashtu dyshime se procesi ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së është politik dhe i drejtuar kundër UÇK-së, duke e paraqitur këtë si bindjen e tij.
“Pozitat mund t’i lëmë. Përgjegjësinë ndaj atdheut e mbajmë gjithë jetën”, ka përfunduar Gashi.








