Pse LDK nuk e përkrah ndryshimin e Ligjit për Specialen?

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do ta përkrahë nismën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.


Lushaku-Sadriu ka thënë se një votim në Kuvend nuk mund të zhbëjë një aktgjykim dhe se ndryshimi i një ligji të zakonshëm nuk mund t’i anashkalojë detyrimet ndërkombëtare dhe Kushtetutën e Kosovës.

“Nuk mund t’u premtojmë se një votim në Kuvend mund të zhbëjë një aktgjykim apo ta zëvendësojë betejën juridike. Dhomat e Specializuara mbështeten në një kornizë kushtetuese dhe në detyrime ndërkombëtare të Republikës së Kosovës. Ndryshimi i një ligji të zakonshëm nuk i shfuqizon ato detyrime dhe nuk mund ta anashkalojë Kushtetutën e Kosovës. Prandaj, vetë miratimi i ndryshimeve në këtë Kuvend nuk garanton zbatimin e tyre, as rezultatin që u premtohet qytetarëve sot. Për më tepër, ndryshimet e miratuara nuk mund t’i nënshtrohen kontrollit kushtetues; Avokati i Popullit i Dhomave të Specializuara ka kompetencë t’i referojë ligjet e Dhomave të Specializuara në Gjykatën Kushtetuese, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së tyre”, tha ajo.

Ajo ka paralajmëruar se në rast se dispozitat e miratuara shpallen antikushtetuese, ato mund të shfuqizohen, ndërsa sipas saj, pasojat politike dhe ndërkombëtare mund t’i mbeten Kosovës.

“Nëse dispozitat shpallen antikushtetuese, ato mund të shfuqizohen. Kjo, nisur nga përgjegjshmëria, mund të mos prodhojë efektin juridik që pretendohet, ndërkohë që pasojat e saj politike dhe ndërkombëtare mund t’i mbeten shtetit të Kosovës. Dhe argumenti për kthimin e procesit dhe raportit Dick Marty anashkalon zhvillimet juridike që kanë pasuar. Pas atij raporti u zhvilluan hetime të Task Forcës Speciale Hetimore, gjetjet e së cilës u paraqitën nga Clint Williamson në vitin 2014 për pretendimet për trafikim organesh. Ai deklaroi se nuk kishin siguruar prova të mjaftueshme për ngritjen e aktakuzës, ndërsa për pretendime të tjera paraqiti gjetje që, sipas tij, justifikonin ndjekje penale”, tha ajo.

Lushaku-Sadriu ka thënë se kundërshtimi i raportit fillestar nuk i zhbën hetimet dhe procedurat gjyqësore që pasuan, duke theksuar se për LDK-në, çdo pretendim për gabime apo padrejtësi duhet të trajtohet përmes rrugës gjyqësore.


“Dhomat e Specializuara u themeluan në vitin 2015 pas këtij raporti. Prandaj, kundërshtimi i raportit fillestar nuk i zhbën vetvetiu hetimet dhe procedurat gjyqësore që pasuan. Për LDK-në, rruga e vetme për ta ndryshuar një aktgjykim është rruga gjyqësore, përmes apelit dhe shterimit të mjeteve juridike të parashikuara me ligj. Çdo pretendim për gabime, padrejtësi apo shkelje në proces duhet të argumentohet dhe të shqyrtohet nga instancat kompetente”, tha ajo.

Sipas saj, institucionet e Kosovës duhet të sigurojnë mbështetjen e nevojshme për mbrojtjen e të akuzuarve, ndërsa për këtë çështje kërkohet edhe koordinim me partnerët ndërkombëtarë.

“Institucionet e Kosovës duhet të sigurojnë, brenda përgjegjësive të tyre ligjore, mbështetjen e nevojshme për një mbrojtje profesionale dhe efektive. Po aq i domosdoshëm është koordinimi ndërkombëtar. Një çështje që lidhet me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe me marrëdhëniet me aleatët tanë kërkon konsultim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe partnerët e tjerë. Veprimet e njëanshme pa këtë koordinim dhe pa vlerësim të qartë të pasojave juridike rrezikojnë ta dobësojnë besueshmërinë e Kosovës dhe mbështetjen ndërkombëtare që i nevojitet vendit tonë. Në të njëjtën kohë, populli i Kosovës, që ka përjetuar sakrifica dhe padrejtësi të rënda, duhet të mbetet i përkushtuar ndaj drejtësisë për viktimat. Për këto arsye, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk mund të bëhet pjesë e kësaj nisme. LDK-ja paralajmëron me kohë për rreziqet e mundshme juridike, politike e ndërkombëtare që ajo vë. U bëjmë thirrje propozuesve dhe deputetëve t’i marrin seriozisht këto rreziqe dhe të veprojnë në interes të drejtësisë, të Republikës së Kosovës”, tha ajo.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit