Alban Krasniqi, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe bashkëshorti i kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka reaguar lidhur me debatin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, të iniciuar nga PDK-ja.
Krasniqi ka kritikuar edhe qëndrimin e LVV-së për këtë çështje, duke thënë se votimi i ndryshimeve mund të krijojë përshtypjen se kjo parti po e pranon Gjykatën Speciale.
“Me faktin që LVV po e voton këtë ligj po i bie disi që e pranon këtë gjykatë dhe kjo është tejet e rëndë për secilin aktivist që ka kundërshtuar gjykatën speciale”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka argumentuar se ndryshimet e propozuara nuk e shfuqizojnë Gjykatën Speciale.
“Sepse, vet ky far ligji i lodhët nuk e shfuqizon gjykatën speciale të PDK-së”, ka shkruar ai.
Krasniqi ka kritikuar edhe PDK-në, duke e lidhur situatën aktuale me rolin që, sipas tij, kjo parti ka pasur në themelimin e Gjykatës Speciale.
“Dhe ky është çmimi që VV po e paguan sot për tradhëtite e PDK-së dje”, ka shkruar ai.
Ai ka pyetur nëse ka ndonjë reflektim nga PDK-ja për zhvillimet e fundit.
“Dhe a po shihni reflektim të PDK-së? Askund në horizont”, ka shkruar Krasniqi.








