I pyetur nëse LDK-ja do ta votonte Bekim Sejdiun për president në kuadër të një marrëveshjeje të mundshme me PDK-në dhe partitë e tjera, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka deklaruar se prioriteti kryesor mbetet dakordimi politik dhe jo emri konkret.
Në një prononcim Haziri theksoi se çështja e kreut të shtetit kërkon një konsensus të gjerë që garanton unitetin e votës në Kuvend.
“Praktikisht, nuk ka të bëjë me emrin e përveçëm, nuk ka të bëjë kurrgjë me Bekimin, si i propozuar dhe si kandidat me kredibilitet. Ka të bëjë me mosarritjen e një konsensusi i cili ia siguron unitetin e votimit, në mënyrë që ai me siguru unitetin e popullit në të ardhmen”, deklaroi Haziri.
I pyetur nëse, në rast të një marrëveshjeje edhe me partitë e tjera për Bekim Sejdiun, deputetët e LDK-së do të vazhdonin ta mbështesnin, kështu u shpreh Haziri.
“Mos na ndani, ne jemi 18. Ne e kemi një dallim, një rast, po LDK-ja e ka një vlerë të demokracisë, ne bashkohemi në dallimet tona. Kështu që ajo është vetëm një episod që ka ndodhur në një rast kur janë dalluar…”, tha Haziri.








