Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka vlerësuar se procedura për shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara mund të vazhdojë në Kuvend, pasi Qeveria ka dhënë opinionin e saj, por ka theksuar se koha e mbetur deri më 6 tetor e bën të vështirë përmbylljen e procedurës brenda afateve të përcaktuara.
Cakolli, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Qeveria kishte afat deri në 30 ditë nga pranimi i projektligjit për të dhënë mendimin e saj. Sipas tij, dorëzimi i opinionit vetëm mbrëmë, në kohën kur synohet që ndryshimet të miratohen para përfundimit të afatit për zgjedhjen e Presidentit, e ka ngushtuar ndjeshëm hapësirën kohore për shqyrtim dhe miratim.
“Procedura e zakonshme legjislative shtrihet në disa javë. Prandaj, për një shqyrtim më të shpejtë, Kuvendi ka në dispozicion mekanizmat e përshpejtimit dhe të shkurtimit të afateve procedurale”, ka shkruar Cakolli.
Ai ka paraqitur edhe hapat proceduralë që, sipas tij, mund të ndiqen në Kuvend, duke nisur nga Komisioni për Legjislacion.
Cakolli ka thënë se komisioni, pasi të ngarkohet nga kryetarja e Kuvendit si komision përgjegjës, mund ta shqyrtojë projektligjin në parim edhe më 3 tetor, duke zbatuar përjashtimin që Rregullorja lejon për thirrjen e mbledhjeve në raste të veçanta.
Sipas tij, më pas mund të thirret seancë e rregullt plenare ose seancë e jashtëzakonshme me kërkesë të së paku 40 deputetëve.
Sa i përket procedurës së përshpejtuar, Cakolli ka sqaruar se kërkesa mund të bëhet nga së paku 30 deputetë ose nga Qeveria, ndërsa shmangia nga afatet procedurale mund të propozohet nga së paku gjashtë deputetë dhe duhet të miratohet nga dy të tretat e deputetëve të pranishëm.
Megjithatë, ai ka theksuar se edhe procedurat e përshpejtuara kanë afate minimale dhe duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën.
“Duhet të kalojnë së paku 48 orë nga shpërndarja e materialeve deri te shqyrtimi i parë dhe pastaj së paku 72 orë nga miratimi në parim deri te shqyrtimi i dytë. Pra, gjithsej së paku pesë ditë”, ka shkruar Cakolli.
Ai ka rikujtuar se Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar vendime edhe në raste kur shmangia dhe shkurtimi i afateve procedurale ua kishte pamundësuar deputetëve dhe komisioneve shqyrtimin përmbajtësor të ligjeve.
Sipas Cakollit, nëse materialet tashmë janë shpërndarë dhe Komisioni për Legjislacion e miraton projektligjin, shqyrtimi i parë në seancë plenare mund të mbahet më së herëti të hënën, më 5 tetor.
Pas miratimit në parim, projektligji kthehet në komision për shqyrtimin e dispozitave dhe amendamenteve eventuale, si dhe për shqyrtim nga komisionet e përhershme.
Duke respektuar afatin minimal prej 72 orësh, Cakolli vlerëson se shqyrtimi i dytë dhe miratimi përfundimtar mund të bëhen më së herëti më 8 tetor.
Ai ka theksuar se edhe pas miratimit në Kuvend, procedura nuk përfundon menjëherë, pasi ligji i dërgohet Presidentit për shpallje dhe më pas hyn në fuqi sipas afateve të përcaktuara me ligj.
Cakolli ka përmendur gjithashtu mundësinë e kontestimit të ligjit në Gjykatën Kushtetuese. Sipas tij, së paku 10 deputetë mund ta kontestojnë atë brenda tetë ditësh nga miratimi, si për përmbajtjen, ashtu edhe për procedurën e ndjekur.
Në fund, Cakolli ka vlerësuar se, për shkak të afateve procedurale dhe kohës së mbetur deri më 6 tetor, përmbyllja e procedurës për këtë projektligj brenda afatit për zgjedhjen e Presidentit është shumë e vështirë.








