Një rast i rrallë mjekësor në Indi kishte habitur mjekët, pasi një djalë shtatëvjeçar kishte rezultuar se kishte 526 struktura dentare të fshehura brenda nofullës së poshtme.
Ravindran u dërgua në një spital në Chennai pasi kishte ënjtje dhe dhimbje në pjesën e poshtme të nofullës. Ekzaminimet me rreze X dhe skanimi CT zbuluan një masë që përmbante qindra dhëmbëza të vegjël.
Mjekët në Saveetha Dental College and Hospital kryen një operacion që zgjati rreth pesë orë. Gjatë ndërhyrjes, ata hoqën një masë që peshonte rreth 200 gramë dhe brenda saj gjetën 526 struktura dentare, me madhësi nga disa milimetra deri në më të mëdha.
Sipas mjekëve, bëhej fjalë për një rast të rrallë të “compound composite odontoma”, ndërsa dhëmbëzat nuk ishin të dukshme nga jashtë dhe ishin të vendosura brenda kockës së nofullës.
Pas operacionit, mjekët thanë se gjendja e fëmijës ishte e mirë dhe dhëmbët normalë u ruajtën. Rasti u cilësua nga mjekët si i pari i dokumentuar me një numër kaq të madh dhëmbësh të vegjël te një person.











