Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencën e përbashkët me presidenten e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, ka përmendur aktgjykimin dënues të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se janë tri pika që duhet të theksohen.
“Në këtë aktgjykim janë tri pika që duhet të theksohen ndërkombëtarisht; e para, pretendimet për të ashtuquajturën ‘Shtëpi e Verdhë’ dhe për trafikimin e organeve as nuk bëjnë pjesë në aktakuzë. E dyta, akuzat për krime kundër njerëzimit dhe për sulme të gjera e sistematike kundër popullsisë civile u rrëzuan. E treta, Dhomat e Specializuara theksuan qartë që UÇK-ja nuk është në gjyq dhe se vendimi i tyre në asnjë mënyrë nuk synon të cenojë drejtësinë apo legjitimitetin e luftës çlirimtare. Në të njëjtën kohë, kemi konkludime të tjera dhe dënime të rënda. Besojmë se ato përmbajnë gabime faktike, historike e juridike. Dhe presim që këto të korrigjohen në Apel. Drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe të shihet e të përjetohet si e tillë. Rreth 20 mijë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe shumë kryerës nuk janë ndëshkuar. Kosova kërkon drejtësi për çdo viktimë, për çdo krim dhe çdo kryerës. Nuk mund të lejojmë barazimin e përgjegjësisë së fajësisë, për shkak se dikush dëshiron të krijojë narrativa alternative”, ka thënë Kurti.








