“Liria Ka Emër” fton qytetarët në protestën e nesërme: S’heqim dorë nga drejtësia

Përfaqësuesit e platformës qytetare “Liria Ka Emër”, Ismail Tasholli dhe Arbnora Zogiani, u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës “JO NË EMRIN TIM”, e cila do të mbahet nesër, më 1 tetor, në orën 16:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Në konferencën për media, një ditë para protestës, Tasholli e cilësoi aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së si të padrejtë dhe të papranueshëm, duke theksuar se ai nuk mund të merret në emër të popullit të Kosovës.

“Kosova nuk e ka nisur luftën. Kosova nuk ka qenë agresori. Shqiptarët e Kosovës kanë qenë viktima të një regjimi që për vite të tëra ua kishte mohuar lirinë, të drejtat dhe dinjitetin”, tha ai.

Sipas Tashollit, drejtësia duhet të vlejë për të gjithë, por nuk mund të jetë selektive dhe as të shkëputet nga e vërteta historike. Ai tha se reagimi qytetar ndaj aktgjykimit ka kaluar kufijtë e Kosovës, duke përmendur protestat dhe mobilizimin e shqiptarëve në Evropë dhe më gjerë.

Duke kujtuar protestën studentore të 1 tetorit 1997, Tasholli tha se nesër, 29 vjet më vonë, qytetarët do të mblidhen sërish në Prishtinë për të kërkuar drejtësi.

Ai kërkoi gjithashtu veprim të menjëhershëm nga Qeveria dhe Kuvendi për shqyrtimin dhe procedimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

“Institucionet duhet të përdorin çdo mjet juridik dhe shtetëror që është në dispozicion dhe në përputhje me ligjin, për mbrojtjen e të drejtave të të dënuarve dhe për të vazhduar betejën juridike deri në përfundimin e të gjitha procedurave”, deklaroi Tasholli.

“UÇK-ja na bashkon! Nga studentët e vitit 1997 deri te qytetarët e sotëm, një gjë nuk ka ndryshuar: ne nuk e harrojmë lirinë, nuk e harrojmë sakrificën dhe nuk heqim dorë nga drejtësia”, shtoi ai.

Ndërkaq, Arbnora Zogiani u bëri thirrje qytetarëve që protestës t’i bashkohen me familjarët, miqtë dhe kolegët e tyre. Ajo njoftoi se nga çdo qytet i Kosovës do të ketë transport të organizuar, ndërsa oraret dhe vendet e nisjes tashmë janë publikuar.

Zogjani falënderoi mediat për përcjelljen e aktiviteteve dhe për jehonën që i kanë dhënë zërit qytetar, ndërsa veçoi kontributin e diasporës në mobilizimin kundër aktgjykimit.

“Diaspora jonë edhe një herë po dëshmon se largësia gjeografike nuk do të thotë largësi nga Kosova”, tha ajo, duke vlerësuar protestat, tubimet dhe aktivitetet e organizuara nga bashkatdhetarët në Evropë, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera të botës.

Në këtë vazhdë, Zogjani njoftoi se më 10 tetor në Bruksel do të mbahet protesta e radhës, e organizuar nga diaspora shqiptare, dhe ftoi bashkatdhetarët të marrin pjesë.

Në fund, platforma qytetare “Liria Ka Emër” u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që t’i bashkohen protestës së 1 tetorit, për të shprehur kundërshtimin ndaj aktgjykimit dhe për të kërkuar veprime konkrete institucionale në mbrojtje të çlirimtarëve.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit