Shkrua Ismet Haziri
Prishtina po zhvillohet dhe po ndërtohet me ritme të shpejta. Po rregullohen rrugë, trotuare, sheshe dhe hapësira të tjera publike, dhe këto investime duhet të vlerësohen. Por zhvillimi i një qyteti nuk matet vetëm me asfalt të ri, trotuare të shtruara apo hapësira të rregulluara. Zhvillimi matet edhe me atë se sa mirë funksionon qyteti pas përfundimit të një projekti dhe sa u shërben këto ndërhyrje qytetarëve në jetën e përditshme.
Dhe pikërisht këtu Prishtina po përballet me probleme serioze.
Një nga shembujt që duhet të analizohet urgjentisht është situata në rrugën Agim Ramadani, veçanërisht pas vendosjes së semaforëve dhe mënyrës së organizimit të qarkullimit. Nëse një ndërhyrje që synon rregullimin e komunikacionit përfundon duke krijuar kolona më të gjata, pritje më të mëdha dhe ngarkesë në rrugët përreth, atëherë është plotësisht e arsyeshme të shtrohet pyetja: a është bërë analiza e duhur e qarkullimit para se të merrej ky vendim?
Nuk mund të planifikohet komunikacioni vetëm duke parë një kryqëzim apo një segment rruge. Duhet të analizohet i gjithë sistemi: numri i automjeteve, orët e pikut, drejtimet e qarkullimit, transporti publik, lëvizja e këmbësorëve dhe biçikletave, si dhe ndikimi që një ndryshim në një rrugë ka në rrugët tjera. Në të kundërtën, një zgjidhje e menduar për ta përmirësuar qarkullimin në një pikë mund të krijojë probleme shumë më të mëdha në pjesët tjera të qytetit.
Prishtina nuk ka luksin të bëjë eksperimente me kohën e qytetarëve. Çdo ditë njerëzit humbin orë të tëra në kolona. Automjetet konsumojnë më shumë karburant, rriten emetimet dhe ndotja, ndërsa qytetarët humbin kohë dhe para. Në një qytet që tashmë përballet me probleme të shumta të trafikut dhe ndotjes, kjo nuk është një çështje e vogël, por një problem që kërkon trajtim serioz dhe profesional.
Edhe rregullimi i rrugëve, trotuareve dhe hapësirave të tjera publike duhet të bëhet me të njëjtën përgjegjësi. Një rrugë e bukur në pamje nuk është domosdoshmërisht rrugë funksionale. Një trotuar i ri nuk është zgjidhje nëse këmbësori nuk mund të lëvizë i sigurt dhe pa pengesa. Një hapësirë e rregulluar nuk mund të konsiderohet sukses i plotë nëse nuk lidhet mirë me pjesën tjetër të qytetit dhe nuk i përgjigjet nevojave reale të qytetarëve.
Prishtinës i duhet më shumë planifikim dhe më pak improvizim. Çdo projekt duhet të mbështetet në analiza profesionale, matje reale në terren dhe vlerësim të ndikimit që do të ketë në të gjithë sistemin urban. Para se të ndërhyhet në një rrugë, duhet të dihet çfarë pasojash do të ketë në rrugët tjera. Para se të vendosen semaforë të rinj, duhet të analizohet qarkullimi i automjeteve dhe këmbësorëve, orët e pikut dhe mënyra se si ndryshon fluksi i trafikut pas ndërhyrjes.
Kritika nuk është kundër zhvillimit. Përkundrazi, kritika e argumentuar është pjesë e zhvillimit. Nëse një projekt është i mirë, duhet të përkrahet. Nëse krijon probleme, duhet të korrigjohet. Nëse një zgjidhje nuk funksionon në praktikë, institucionet duhet të kenë përgjegjësinë dhe guximin ta rishikojnë atë.
Nuk është e mjaftueshme të thuhet se një projekt është realizuar. Pyetja kryesore duhet të jetë: a po funksionon ky projekt për qytetarin dhe për qytetin?
Prishtinës i duhen rrugë më funksionale, semaforë të koordinuar, transport publik më efikas, hapësira të sigurta për këmbësorë dhe një planifikim urban të bazuar në të dhëna dhe analiza reale në terren.
Qyteti nuk duhet të ndërtohet vetëm për t’u dukur më mirë. Duhet të ndërtohet që të funksionojë më mirë.
Prishtina po zhvillohet. Por tash është koha që edhe planifikimi, profesionalizmi dhe standardet e zhvillimit ta ndjekin ritmin e qytetit.








