Gazeta raportoi të dielën për operacionin e gjerë të Policisë së Kosovës në veri të vendit, ku në shënjestër ishin rreth 10 persona të dyshuar për përfshirje në vrasjen dhe zhdukjen e civilëve gjatë luftës në Kosovë.
Sot, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se ka paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamentin Special, kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj nëntë personave të arrestuar në kuadër të këtij operacioni.
Sipas Prokurorisë, nëntë të dyshuarit me inicialet D.D., M.R., M.R., R.R., S.D., S.D., V.L., R.R. dhe D.D. dyshohen për pjesëmarrje në vrasjen dhe zhdukjen e 23 civilëve në Zubin-Potok.
Operacioni, i koduar “Dosja 23”, është zhvilluar nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, me mbështetjen e njësive të tjera të Policisë së Kosovës, ndërsa urdhërkontrollet janë realizuar në disa lokacione në komunën e Zubin-Potokut.
Sinjali raportoi dje se në mesin e të arrestuarëve janë Milan Đurić, Radisav Rašković, Petar Utvić, Dragan Đurić, Vukadin Lepović, Jovica Mutavdžić, Svetislav Đukić, Miroslav Radojević, Miloš Rašković dyshohen për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Siç raportoi Sinjali, aksioni ishte autorizuar nga Prokuroria Speciale dhe bastisjet ishin kryer në bazë të urdhrave të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special.
Gjatë bastisjeve, sipas të dhënave të bëra publike nga autoritetet, janë sekuestruar nëntë telefona mobilë, dy libreza ushtarake, një armë e gjatë, një pushkë gjuetie, municion i kalibrave të ndryshëm dhe katër predha.
Po ashtu, janë sekuestruar rreth 23 mijë euro para të gatshme, rreth 60 mijë dinarë serbë dhe materiale të tjera që konsiderohen relevante për hetimin.
Sinjali kishte raportuar se hetimet lidhen me një rast të rëndë të vrasjes së civilëve dhe me lokacione ku dyshohet se janë gjetur mbetje mortore të personave të vrarë gjatë luftës.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se kërkesa për paraburgim është paraqitur në bazë të provave dhe të dhënave të mbledhura gjatë procedurës hetimore deri në këtë fazë.
Hetimet do të vazhdojnë, ndërsa Prokuroria ka theksuar se do të respektojë të drejtat e të gjithë personave të përfshirë në procedurë dhe konfidencialitetin e informacionit që nuk mund të bëhet publik në këtë fazë.
Të dyshuarit konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.








