Kosova ka regjistruar një fitore të rëndësishme ndaj Irlandës, duke e mposhtur 1-0 në stadiumin “Fadil Vokrri”.
“Dardanët” e nisën ndeshjen më mirë dhe gjatë pjesës së parë patën disa mundësi të mira për të kaluar në epërsi. Vedat Muriqi ishte protagonist në disa prej tyre, por pa arritur ta mposhtë portierin irlandez.
Në një moment tjetër të rrezikshëm, topi u largua nga vija fatale nga mbrojtësi Egan, duke i mohuar Kosovës golin.
Pas pushimit, loja u zhvillua me ritëm më të ulët, ndërsa Kosova vazhdoi të kërkonte hapësirën për të shënuar.
Përpjekjet e vendasve u shpërblyen në minutën e 84-t. Muriqi u gjend në vendin e duhur pas një topi të ardhur nga krahu dhe me goditje me kokë e dërgoi topin në rrjetë për 1-0.
Kosova pati mundësi ta dyfishonte epërsinë pak çaste më vonë. Muriqi asistoi për Ermal Krasniqin, por sulmuesi nuk arriti ta shfrytëzonte mundësinë e krijuar.
Irlanda tentoi të reagonte në minutat e fundit, por Kosova e menaxhoi avantazhin dhe e mbylli ndeshjen me fitore.








