Një turist nga Kazakistani ka ndarë përshtypjet e tij për Prishtinën, duke u shprehur i befasuar nga infrastruktura, qendrat tregtare dhe prania e markave ndërkombëtare në kryeqytetin e Kosovës.
Raiymbek, i cili po zhvillon një turne botëror, kishte planifikuar një ndalesë të shkurtër në Prishtinë për të blerë kufje të reja, pasi i kishte humbur në një autobus në Shkup.
Megjithatë, qëndrimi i tij në kryeqytet mori një tjetër drejtim. Në një video të publikuar në Instagram, ai ka filmuar pjesë të qytetit dhe qendrën tregtare “Albi Mall”, duke ndarë përshtypjet e tij për Prishtinën.
“Prishtina më duket shumë EU. Shumë EU”, shprehet ai në video.
Turisti përmend edhe praninë e markave të njohura ndërkombëtare, si H&M, Burger King, KFC dhe IMAX, duke thënë se Prishtina i jep një ndjesi më evropiane dhe ndërkombëtare krahasuar me disa vende të tjera të Ballkanit që ka vizituar.
Në videon e tij, Raiymbek ka përmendur edhe aspektin kulturor të Kosovës, duke shfaqur një xhami dhe duke folur për përbërjen fetare të popullsisë.
Videoja është realizuar në mënyrë spontane gjatë udhëtimit të tij dhe ka tërhequr vëmendjen e ndjekësve të interesuar për udhëtimet dhe Ballkanin.
Ajo që për të ishte planifikuar si një ndalesë e shkurtër për të blerë kufje, u shndërrua në një përshtypje të veçantë për Prishtinën, të cilën ai e përshkroi si një qytet me atmosferë “shumë evropiane dhe ndërkombëtare”.








