Përfaqësuesja e Kosovës po merr vëmendje të veçantë në mediat irlandeze para përballjes së Ligës së Kombeve në “Fadil Vokrri”.
Prestigjiozja “Irish Times” e përshkruan Kosovën si një ekip në ngritje nën drejtimin e trajnerit Franco Foda, duke vlerësuar paraqitjet e fundit të “Dardanëve”.
Mediumi irlandez rikujton se në mars Kosova ishte më afër se Irlanda për kualifikimin në Kupën e Botës, ndërsa veçon edhe fitoren dramatike 4-3 ndaj Sllovakisë në Bratislavë dhe humbjen minimale 1-0 ndaj Turqisë në Prishtinë.
“Ekipi i Kosovës duket i fuqizuar nën trajnerin gjerman Franco Foda”, shkruan “Irish Times”.
Në artikull përmenden edhe ndryshimet në përfaqësuese, përfshirë kalimin e shiritit të kapitenit te Vedat Muriqi pas largimit të Amir Rrahmanit nga Kombëtarja. Mediumi veçon gjithashtu Albian Hajdarin, Fisnik Asllanin dhe Leon Avdullahun si lojtarë të rëndësishëm të Kosovës.
Në prag të ndeshjes, trajneri i Irlandës, Heimir Hallgrímsson, ka folur gjerësisht për Kosovën, ndërsa “Irish Times” vëren se përfaqësuesja kosovare është një prej temave kryesore të diskutimeve para sfidës në Prishtinë.








