Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka thënë se Qeveria e Kosovës është dashur të reagojë publikisht lidhur me procesin gjyqësor në Hagë, ndërsa ka deklaruar se nuk ka frikë nga mundësia e një aktakuze të re ose arrestimi.
Lushtaku në një prononcim tha se Qeveria e Kosovës, pavarësisht bindjeve politike, është dashur të dalë me një deklaratë për këtë proces.
“Qeveria është dashur së paku të dalë me një deklaratë për këtë proces. Është Qeveri e Kosovës, pavarësisht bindjeve tona politike”, tha Lushtaku.
I pyetur nëse ka frikë se mund të ketë aktakuzë të re ose të arrestohet, Lushtaku tha se nuk ka arsye për frikë.
“Jo, tamam puna me ia nis mu frikësu, absolutisht jo”, u shpreh ai.
Lushtaku tha se vazhdon të mos ketë besim në Dhomat e Specializuara të Kosovës, kur u pyet nëse pret që Apeli të rrëzojë shkallen e parë që i dënoi me 81 vjet burg ish-krerët e UÇK-së.
“Unë nuk besoj dhe nuk i kam besuar dhe vazhdoj të mos i besoj kësaj”.








