Hetuesit kanë zbuluar komunikime të vazhdueshme mes Ergys Agasit dhe Erion Veliajt, gjatë kohës që biznesmeni ishte në arrati, e kryebashkiaku në qeli
Të tjera detaje janë bërë publike në lidhje me hetimet mbi Vlora Hysenin dhe Ergys Agasin.
Gazetari Elvi Fundo ka bërë një deklaratë të fortë gjatë një intervistë në emisionin “Opinion”. Teksa deklaroi se Vlora Hyseni ka tentuar të ndihmojë edhe kryebashkiakun Erion Veliaj, duke ndërhyrë tek SPAK apo tek Gjykata Kushtetuese.
Sipas Fundos, hetuesit kanë zbuluar komunikime të vazhdueshme mes Ergys Agasit dhe Erion Veliajt, gjatë kohës që biznesmeni ishte në arrati, e kryebashkiaku në qeli.
Këto komunikime dëshmojnë për ndërhyrjen në SPAK për të lehtësuar pozitat e Veliajt, e po ashtu për zgjedhjen e Naureda Llagamit si anëtare në Gjykatën Kushtetuese.
“Këto janë në kuadër të fjalëve që i thonë, ka ende, ende çështjen e tij, por unë di për shembull që po ta lajmë, po t’a jap lajm ty, ka komunikime të vazhdueshme për shembull me Erion Veliajn që ndodhet në burgun e Durrësit. Kanë komunikim…
Tani Ergys Agasi ka qenë person në kërkim, përfshi dhe zonjën Vlora… kanë qenë të përqendruara për të ndërhyrë edhe në SPAK për çështjen Veliaj. Ergys Agasi ka çuar mesazhe dhe Vlora ka çuar mesazhe për këtë. Unë mbaj përgjegjësi dhe po ta them ty në emision live. Ka çuar mesazhe për çështjen e Erion Veliajt.
Dhe e dytë do t’ju them dhe një detaj këtu. Është pikërisht kryetarja e SHISH-it e cila ka ndërhyrë për llogari të Ergys Agasit apo edhe të Erion Veliajt, për të zgjedhur dhe një anëtar të Gjykatës Kushtetuese, Naureda Llaganin. Sepse kur ka qenë gara e kësaj zonjës me, po ta kujtoj me Asim Vokshin, kjo ka çuar një shkresë negative për një gjyqtar me super integritet, që të dilte Naureda Llagani, e cila është ish-punonjësja e studios ligjore të Ajola Xoxës. Se këtu përfshihet e tëra, edhe Erion Veliaj, kryetarja e SHISH-it, Ergys Agasi”, tha Fundo.
Sjellim në vëmendje se Nuarda Llagami ka patur një përplasje me Asim Vokshin se kush do të ishte anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Asim Vokshi, gjyqtar që njihet për integritet të lartë, ishte një kandidat që kishte kaluar vettingun dhe ishte konfirmuar në detyrë nga KPK. Më pas, në garën për Gjykatën Kushtetuese, ai u rendit i pari nga KED, me Naureda Llagamin menjëherë pas tij.
Ky vendim u ankimua nga Llagami në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar që vendimi i Gjykatës së Lartë e cila emëroi Asim Vokshin si anëtar të Kushtetueses, të anulohej dhe që ajo të shpallej fituese, duke pretenduar se një votë ishte shpallur pa të drejtë e pavlefshme në procesin e votimit.
Procesi nisi në dhjetor të vitit 2024, kur Gjykata e Lartë, nën drejtimin e kryetarit Sokol Sadushi, shpalli vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese pas përfundimit të mandatit të gjyqtares Holta Zaçaj. Një akt i cili çoi në përplasje mes dy institucioneve. Zaçaj, njëkohësisht dhe kryetare e Kushtetueses, pretendonte se mandati i saj mbaronte në fund të vitit 2025. Ajo u tërhoq më pas nga qëndrimi I saj dhe vetë gjykata njohu përfundimin e mandatit të saj.
Në garën për vendin e lënë bosh prej Zaçajt, garuan deri në momentin e fundit, Naureda Llagami dhe Asim Vokshi. Pasi Llagami nuk arriti të siguronte 9 votat e nevojshme Asim Vokshi, u shpall automatikisht si kandidatura e përzgjedhur, duke qenë se në vlerësimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ai ishte renditur i pari.
Pas kësaj, gjyqtari Vokshi, u vu në shënjestër të sulmeve sipas të cilave KED, kishte anashkaluar një informacion të klasifikuar, që ngrinte dyshime se ai mund të ishte agjent i shërbimeve sekrete. Vokshi, por dhe KED i hodhën poshtë akuzat, ndërsa Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve foli për sulme personale dhe denigrime që cenojnë drejtpërdrejt dinjitetin, reputacionin dhe integritetin institucional të magjistratit.
Në përfundim, Vokshi doli fitues duke u betuar si anëtar i Gjykatës Kushtetuese.








