Zyrtari policor Adriatik Vishi ka dhënë dëshminë e tij para Gjykatës në Ferizaj, në kuadër të rastit të vrasjes së policit Muhamet Lika.
Gjatë dëshmisë, Vishi ka treguar detaje ekskluzive për një ngjarje që kishte ndodhur vetëm një natë para vrasjes, kur policia ishte përballur me të dyshuarin kryesor, Rejhan Belën. Sipas dëshmisë së Vishit, policia kishte ndaluar një veturë për kontroll.
Gjatë shqiptimit të dënimit, aty shfaqej i dyshuari kryesor për rastin e Muhamet Likës, Rejhan Bela. Ai sapo kishte parë forcat policore, ishte larguar me vrap dhe kishte arritur t’u ikte zyrtarëve policorë.
Bela, sipas policit, kishte një fletarrest dhe ishte në kërkim për një rast tjetër. Gjatë ikjes, të dyshuarit i kishte rënë telefoni, të cilin policia më pas e kishte konfiskuar.
Vishi ka treguar se telefoni, derisa ndodhej në Stacionin Policor në Kaçanik, kishte cingëruar vazhdimisht. Në një moment, Muhameti kishte hapur telefonin dhe personi në anën tjetër kishte kërkuar që telefoni t’i kthehej.
Më pas, babai i Rejhan Belës, Sulltani, kishte shkuar në stacionin policor dhe kishte kërkuar që telefoni i djalit të tij t’i dorëzohej. Sipas dëshmisë së zyrtarit policor, kërkesa nuk ishte pranuar dhe telefoni kishte mbetur i konfiskuar nga Policia.








