Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në segmentin rrugor Landovicë–Gjonaj, ku janë përfshirë një automjet dhe një motoçikletë. Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën një motoçiklist.
Zëdhënësi i Policisë Rajonale në Prizren, Shaqir Bytyqi, ka bërë të ditur për media se zyrtarët policorë kanë konstatuar se bëhet fjalë për një aksident trafiku me pasoja vdekjeje.
Sipas tij, në vendin e ngjarjes ka dalë edhe ekipi mjekësor i urgjencës, i cili ka konfirmuar vdekjen e Z. Q., i lindur në vitin 1994, nga fshati Romajë i Komunës së Prizrenit, i cili në momentin e aksidentit ishte duke drejtuar motoçikletën.
“Për rastin janë njoftuar hetuesit e Njësisë Rajonale të Trafikut, eprorët përkatës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes”, thuhet në konfirmimin e Policisë.
Për rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit. Me autorizim dhe në koordinim me Prokurorinë, do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave dhe shkaqeve të këtij aksidenti.








