Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, ka kritikuar Serbinë gjatë fjalimit të tij në Debatin e Përgjithshëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, duke dënuar nderimet zyrtare që iu bënë ish-komandantit serb të Bosnjës, Ratko Mlladiç.
Plenkoviç e cilësoi glorifikimin e Mlladiçit si fyerje ndaj viktimave dhe ndaj vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, duke theksuar se pajtimi në Evropë kërkon përballjen me krimet e së kaluarës, respektimin e viktimave dhe refuzimin e glorifikimit institucional të autorëve të krimeve.
Duke iu referuar luftërave të viteve ’90, kryeministri kroat përmendi bombardimet e qyteteve kroate, vrasjen e civilëve dhe shkatërrimin e infrastrukturës kulturore e industriale, ndërsa theksoi se mizoritë kulmuan me gjenocidin në Srebrenicë në vitin 1995.
Mlladiç u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera gjatë luftës në Bosnje-Hercegovinë. Ai vdiq në fund të gushtit 2026, ndërsa trupi i tij u kthye në Serbi me një avion të qeverisë serbe, ku u zhvilluan homazhe dhe ceremoni mortore.
Në fjalimin e tij në OKB, Plenkoviç foli edhe për situatën në Lindjen e Mesme. Ai bëri thirrje për respektimin e standardeve ndërkombëtare për mbrojtjen e civilëve dhe për garantimin e qasjes humanitare në Gaza.
Kryeministri kroat tha se Kroacia mbështet një zgjidhje të negociuar me dy shtete, në mënyrë që izraelitët dhe palestinezët të mund të jetojnë në paqe dhe siguri.








