Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj deklarimeve të kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, lidhur me dënimet e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Gjykata Speciale.
Çitaku ka thënë se nuk duhet të flitet për “asimetri dënimesh”, duke argumentuar se thelbi i aktgjykimit nuk qëndron te numri i viteve të burgimit të shqiptuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
“Amani ju koftë, mos flisni për ‘asimetri dënimesh’, siç paska folur Kryetari i LVV-së”, ka shkruar Çitaku.
Sipas saj, diskutimi për kohëzgjatjen e dënimeve e zhvendos vëmendjen nga ajo që ajo e konsideron si çështjen kryesore të aktgjykimit.
“Sepse kjo i bie me thënë: dënojini, por jo bash kaq shumë, sepse këta katër burra nuk kanë bërë masakra e dhunë sistematike”, ka deklaruar ajo.
Çitaku ka thënë se çështja nuk është nëse të dënuarit janë dënuar me 25 vjet, më pak apo më shumë burgim.
“A po e kuptoni thelbin e këtij dënimi? Këtu nuk bëhet fjalë nëse i morën 25 vjet, më pak apo më shumë. Thelbi është shumë më i rëndë”, ka shkruar ajo.
Ajo ka shtuar se me këtë aktgjykim është kriminalizuar vetë UÇK-ja dhe ideja e luftës çlirimtare.
“UÇK-ja është gjykuar si ndërmarrje e përbashkët kriminale. Është kriminalizuar vetë ideja e luftës çlirimtare”, ka shkruar Çitaku.
Në fund, ajo ka përsëritur se, sipas saj, fokusi nuk duhet të jetë te masa e dënimit, por te ajo që është gjykuar.








