Luhej java e fundit e kampionatit, ndërsa Prishtina ishte nikoqire e Dinamos së Vinkovcit, më 30 qershor të vitit 1985.
Mbi 35 mijë shikues kishin mbushur stadiumin e Prishtinës.
Por në mesin e tyre kishte edhe një mysafire të veçantë, këngëtarja e njohur kroate Tereza Kesovija.

Këngëtaren e kishte sjellë trajneri i njohur kroat Miroslav Çiro Blazheviq, i cili në atë kohë ishte kryetrajner i Prishtinës.
Atmosfera në stadium i ngjante asaj të stadiumeve latinoamerikane.
Në një moment, Tereza Kesovija zbriti në fushë dhe e nisi topin nga mesi i saj.
Stadiumi shpërtheu si vullkan!
Prishtina më pas e fitoi ndeshjen me rezultat 3:1 ndaj Dinamos së Vinkovcit, në kuadër të Ligës së Parë të ish-Jugosllavisë.
Para një kohe, këngëtarja kroate kishte treguar për mediumin kroat “Veçernji list” se sa e vështirë kishte qenë për të të dilte në fushën e stadiumit të Prishtinës.
“Çiro më bindi që në ndeshjen e fundit të sezonit të bëja fillimin e lojës në Prishtinë. Më bindi edhe të vishja këpucë futbolli.
Çfarë spektakli ishte, ha-ha-ha!”, tha Kesovija.
Pas ndarjes nga Grasshopper në pranverën e vitit 1985, Çiro Blazheviq mori menjëherë një angazhim të ri, ai mori drejtimin e skuadrës së Prishtinës, e cila po luftonte fort për mbijetesë.
Me mbështetjen e një publiku të entuziazmuar, magjinë e Çiros dhe aftësinë golashënuese të Fadil Vokrrit, Prishtina në fund të sezonit e zuri vendin e dhjetë.
Me rastin e këtij suksesi, Blazheviq në xhiron e fundit të kampionatit e solli në Prishtinë këngëtaren e madhe kroate Tereza Kesovija. Zonja Kesovija e ka përshkruar këtë përvojë në autobiografinë e saj “Ai jam unë”.
“Do të marrësh këpucë futbolli, kështu je më e mira”!
“Stadiumi i Prishtinës atë pasdite vlonte nën diellin e nxehtë të qershorit. Çdo pëllëmbë hapësire ishte e mbushur me tifozë të zjarrtë.
Dhe si të mos ishte kështu, kur ishte një ditë e madhe për klubin e futbollit Prishtina.
Ishte ndeshja e fundit e kampionatit të sezonit 1984/85. Nga të gjitha anët jehonte: ‘Çiro, Çiro, Çiro, mjeshtër!’ Mijëra tifozë të entuziazmuar e brohorisnin me zë të fuqishëm emrin e magjistarit që para syve të tyre e kishte shndërruar të pamundurën në realitet.
Qëndroja me Çiron pranë fushës, disi e hutuar dhe e pavendosur.
Asnjëherë më parë nuk kisha goditur top në një fushë futbolli, ndërsa atë ditë kisha detyrën që me një goditje ceremoniale të shënoja fillimin e një ndeshjeje të rëndësishme. Kisha një emocion që ishte e pamundur ta përshkruaja.
“Bijë, ti je yll, duhet ta godasësh topin sa më mirë që di.
Çiro, nuk kam as fanellë. Si do të gjuaj me taka të larta? Çfarë po bën?! – u ankova, duke shpresuar se Çiro në momentin e fundit do ta ndryshonte këtë vendim të çmendur.
Mos u shqetëso, bijë, Çiro yt do të gjejë gjithçka për ty. Do të marrësh këpucë futbolli. Ndërsa fanella, ç’të duhet fanella, moj? Kështu je më e mira!:, ka treuar Kesovija.
“Në atë çast, ekonomi i klubit tashmë qëndronte pranë meje, duke mbajtur në duar këpucët e futbollit dhe fanellën. Të dyja ishin të paktën dy numra më të mëdha, por kjo nuk e shqetësonte aspak Çiron.
“Lehtë do ta rregullojmë, bijë. Do të fusim letra që këpucët të mos të bien nga këmbët.
Pastaj do t’i lyejmë me bojë të zezë dhe do të duken si të reja, sikur të kenë pritur pikërisht ty. Ja edhe një shall i bardhë, hidhe rreth qafës dhe tani më thuaj Çiros tënd çfarë të mungon.
“Çiro, si do të shkoj në qendër të fushës? Ti je i çmendur, unë nuk di si bëhet kjo, përpiqesha në çdo mënyrë t’i shmangesha rolit ceremonial që më kishin dhënë.
‘Nuk di, nuk di’, vetëm këtë di të thuash. Unë po të them se di dhe mos ki frikë. Unë do të shkoj me ty në qendër dhe Çiro yt do të ta tregojë gjithçka.
Po sikur ta godas gabim? – nxora argumentin tim të fundit, por Çiro nuk dorëzohej”, ka nënvizuar këngëtarja kroate.
“E çfarë pastaj? Nuk do të jesh e para që e godet gabim. A e di, bijë, sa lojtarë e godasin gabim dhe nuk ndodh asgjë? E rëndësishme është që sot të të shohin të gjithë. Kjo është e rëndësishme.”
“Daljen time ‘triumfale’ në fushën e sapokositur, e cila më dukej pesë herë më e madhe, tifozët e pritën në këmbë.
‘Çiro, Tereza, Çiro!’ – gjëmonte nga të gjitha anët.
U përshëndesja me duar duke shtirur sikur isha e qetë, ndërsa në të vërtetë mendoja: ‘O nëna ime, nëse gaboj, do të më qeshë i gjithë stadiumi.’
Ja ku jam në qendër të fushës. Dikush e vendos topin para këmbëve të mia dhe urdhëron:
Gjuaje!
Duhej ta godisja topin, çfarëdo që të ndodhte. Mora hov dhe e godita me gjithë forcën.
Topi fluturoi, por nga këmba më fluturoi edhe këpuca. Vetëm Zoti e di se në cilin drejtim.
Tifozët e gëzuar e shpërblyen goditjen time ‘kampione’ me duartrokitje të fuqishme.
Me shallin e bardhë rreth qafës, pranë meje u ndal me një kërcim elegant ‘hyjnia e tij Çiro’, më ngriti dhe më nxori në krahë nga fusha, i shoqëruar me ovacione të forta për gjestin e tij mbrojtës.
Me gjashtëdhjetë e ca kilogramët e mi në krahë, me një zë që i dridhej lehtë, pranoi:
Të lumtë, për Zotin e ke goditur si burrë!
A dëshironi ta merrni për kujtim? – bëri shaka ekonomi i klubit, duke mbajtur në dorë këpucën time.
Për Zotin, mirë keni gjuajtur, mezi e gjeta! – më tha ai.
Një kompliment i tillë të ndodh vetëm një herë në jetë. Megjithatë, këpucën nuk e mora për kujtim.”
“Pas ndeshjes, kryetari i Prishtinës na çoi në një restorant për një darkë solemne për nderin tonë.
Atmosfera ishte e gëzueshme dhe plot entuziazëm. Të gjithë përqafoheshin dhe këndonin. Pastaj dikush bërtiti:
Qetësi!
Kryetari u ngrit dhe, duke trokitur me gotë, e paralajmëroi fjalimin e tij.
Shokë dhe shoqe, është nder dhe kënaqësi që sonte, në emër të të gjithë neve, t’i përgëzoj lojtarët, e veçanërisht shokun
Çiro Blazheviqin, për suksesin e madh me të cilin edhe një herë dëshmoi se është më i madhi…
Kjo meriton një këngë nga Tereza jonë. Shokuese Tereza, na këndoni diçka, ashtu për shpirt.
Meqë në Prishtinë kisha ardhur nga një koncert, Bula, pianisti im, ishte si zakonisht me mua. Shikuam njëri-tjetrin të habitur.
U ktheva rreth e rrotull, duke kërkuar me sy ndonjë piano të vogël, por nuk kishte asgjë.
Më vjen shumë keq, por nuk ka piano, kështu që nuk ka as këngë – thashë, pa e fshehur kënaqësinë.
Çfarë nuk ka? Çfarë, piano? Ka, ka piano! – u mburr kryetari.
Pastaj urdhëroi:
Hajdeni, djem! Shkoni në shtëpinë time në katin e gjashtë dhe silleni pianon, shpejt!
Pas pak më shumë se gjysmë ore, në hyrje të restorantit u dëgjua zhurmë dhe rrëmujë.
Pianoja kishte ardhur, por dyert e sallës ishin shumë të ngushta dhe pianoja nuk mund të futej.
Çfarë nuk mund të futet? Prishni dyert, kur po ju them! – urdhëroi kryetari i qytetit.
Por, shoku kryetar…
Asnjë ‘por’ dhe asgjë tjetër. Thashë, prishni dyert!
Bula dhe unë ishim të tmerruar. Nuk mund ta besonim atë që po ndodhte, por nuk kishim nga t’ia mbanim.
Nuk ishte kërkesë, por urdhër.
Kështu, këndova disa këngë pa u marrë me vështirësitë e Bulës, i cili duhej të luante në pianon e çakorduar”, ka treguar Kesovija para një kohe për atmosferën që e kishte përjetuar në kryeqytetin e Kosovës.








