Gjykata e Posaçme Kundër Korruposionit dhe krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe “pezullim nga detyra” për drejtuesen e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, në lidhje me hetimet që po kryhen për dosjen e “AKSHI”.
Megjithatë, gazetarja Glidona Daci, raporton se Vlora Hyseni aktualisht nuk ndodhet në Shqipëri.
Ajo akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për dy vepra penale, konkretisht për “Përkrahje të autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”
Kush është Vlora Hyseni?
Vlora Hyseni ka punuar për disa vite në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, ku fillimisht kishte mbajtur postin e drejtoreshës së Marrëdhënieve me Jashtë dhe më pas, nga viti 2019, atë të zëvendësdrejtoreshës. Në mesin e vitit 2021, ajo u shkarkua nga detyra nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Rruga drejt SHISH
Kryeministri i vendit, Edi Rama, njoftonte se më 17 mars 2023, i kishte propozuar Kreut të Shtetit, Bajram Begajt emrin e Vlora Hysenit, ish-zëvendësdrejtuese e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, për postin e drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH).
Propozimi i kryeministrit u shoqërua me debate dhe kundërshti nga ana e opozitës, e cila i kërkonte në atë kohë Kreut të Shtetit që para dekretimit të merrte informacione të plota rreth saj dhe arsyet e shkarkimit nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.
Pavarësisht kundërshtimeve, Presidenti Bajram Begaj e dekretoi Vlora Hysenin në krye të SHISH-it më 3 prill 2023, rreth dy javë pas propozimit të kryeministrit.
Por, pas më shumë se tre vitesh në krye të SHISH, Vlora Hyseni do duhet të përballet me akuzat e Prokurorisë së Posaçme për dosjen e “AKSHI”.








