Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) lëshoi këtë të martë masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për kreun e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni dhe e pezulloi nga detyra.
Sipas raportimeve në mediat shqiptare, masa nuk është ekzekutuar ende për shkak se Hyseni nuk ndodhet në Shqipëri. Kjo masë është lëshuar në kuadër të hetimeve që po kryhen në kuadër të dosjes AKSHI.
“Dosja AKSHI” është një nga proceset më të mëdha hetuese të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), e cila lidhet me abuzimet me tenderat publikë, korrupsionin, pastrimin e parave dhe ndikimin e paligjshëm në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).








