Avokati Besnik Berisha për nismën e PDK-së për Specialen: Kujdes, një hap për t’i ndihmuar mund t’u bëjë më shumë dëm

Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar sot në Kuvend projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. PDK-ja e ka lidhur nismën me zhvillimet e fundit në Hagë dhe ka thënë se synon të ndjekë rrugë institucionale e ligjore lidhur me procesin.

Për këtë nismë ka reaguar avokati Besnik R. BERISHA, i cili thotë se e kupton motivin politik, institucional dhe emocional që mund të qëndrojë pas saj, por paralajmëron se në një çështje të kësaj peshe nuk mjafton vetëm qëllimi i mirë.

Sipas Berishës, pas zhvillimeve të fundit në Hagë është e natyrshme që në Kosovë të kërkohet reagim dhe që institucionet të shqyrtojnë çdo mundësi që mund t’i shërbejë drejtësisë, mbrojtjes së të akuzuarve dhe interesit të vendit.

Megjithatë, ai vlerëson se pikërisht për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, nevoja për të reaguar nuk duhet të ngatërrohet me bindjen se çdo reagim domosdoshmërisht u sjell dobi atyre që synon t’i ndihmojë.

Berisha thotë se, në rrethanat aktuale, nuk e sheh ndërhyrjen në bazën ligjore të Dhomave të Specializuara si një hap që mund t’u sjellë dobi reale personave që ndodhen në Hagë, e as si një veprim prej të cilit Kosova domosdoshmërisht mund të përfitojë.

Përkundrazi, shqetësimi i tij është se një ndërhyrje në arkitekturën ligjore të Dhomave të Specializuara, në një kohë kur procesi gjyqësor ende nuk ka përfunduar dhe mjetet juridike nuk janë shteruar, mund të prodhojë reagime politike dhe institucionale me pasoja krejt të kundërta nga ato që synohen.

“Në çështje të kësaj peshe, qëllimi i mirë nuk mjafton. Duhet të jemi po aq të sigurt edhe për mjetin që zgjedhim për ta realizuar atë qëllim, sepse një veprim i ndërmarrë me synimin për të ndihmuar mund, nëse nuk peshohet me kujdes, të prodhojë pasoja më të rënda se problemi që synon të zgjidhë”, ka thënë Berisha.

Ai vlerëson se një nismë e tillë nuk duhet parë vetëm nga ajo që synon të arrijë sot, por edhe nga mënyra se si mund të perceptohet jashtë Kosovës, ndikimi eventual në raportet me partnerët ndërkombëtarë dhe, mbi të gjitha, efekti që mund të prodhojë në pozitën e vetë të akuzuarve.


Sipas Berishës, Kosova ka të drejtë të kërkojë respektim rigoroz të standardeve të procesit të drejtë, barazi në trajtim dhe përgjegjësi penale individuale. Po aq legjitime, sipas tij, është kërkesa që historia e luftës së UÇK-së të mos ngarkohet me përgjegjësinë penale të individëve.

Por mbrojtja e këtyre interesave, thotë ai, kërkon para së gjithash argument juridik, prova, shterim të mjeteve procedurale dhe vendimmarrje institucionale të menduar deri në fund.

“Ata që ua duan të mirën njerëzve që sot ndodhen në Hagë dhe, njëkohësisht, ia duan të mirën Kosovës, duhet ta kenë guximin të kërkojnë drejtësi me vendosmëri, por edhe maturi kur ekziston rreziku që një veprim politik i sotëm të shndërrohet në barrë juridike, institucionale apo diplomatike të së nesërmes”, ka theksuar Berisha.

Ai thotë se, në këtë fazë, do t’i jepte përparësi betejës juridike, shterimit të çdo mjeti ligjor dhe mbrojtjes me argumente e prova, para një ndërhyrjeje politike në bazën ligjore të një procesi ende të papërfunduar.

“Interesi i Kosovës dhe i njerëzve që sot përballen me drejtësinë duhet të qëndrojë mbi nevojën për reagim politik të çastit”, ka deklaruar ai.

Berisha e përmbyll qëndrimin e tij me mesazhin se në çështje të kësaj peshe lidershipi nuk matet me shpejtësinë apo fortësinë e reagimit, por me aftësinë për të parë përtej momentit dhe për t’i peshuar pasojat para se ato të bëhen të pakthyeshme.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit