Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar për 28 shtator seancën e shqyrtimit gjyqësor ndaj Muharrem Ibrajt, i akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile.
Sipas njoftimit të gjykatës, ndaj Ibrajt është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, me numër PPS.nr.32/2010, më 19 mars 2025.
Ai akuzohet për veprën penale “Krime të luftës kundër popullsisë civile”, nga neni 142, lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-RSFJ-së, si ligj që ka qenë në fuqi në kohën kur pretendohet se është kryer vepra.
Gjykata ka bërë thirrje që Muharrem Ibraj të paraqitet dhe të dorëzohet para organeve të ndjekjes së Republikës së Kosovës, në mënyrë që procedura gjyqësore të zhvillohet me praninë e tij.
Po ashtu, gjykata u ka bërë thirrje të gjithë personave që kanë informacione për vendndodhjen e tij që t’i raportojnë ato në Policinë e Kosovës ose tek organet tjera kompetente.
Seanca është caktuar të mbahet më 28 shtator 2026, në ora 09:30. Trupi gjykues do të kryesohet nga gjyqtarja Violeta Namani Hajra.








