Bilanci i proceseve të përfunduara në Gjykatën Speciale në Hagë tregon se të gjithë 11 personat ndaj të cilëve janë dhënë aktgjykime përfundimtare në rastet e tyre janë dënuar për së paku një vepër.
Mes tyre janë edhe katër ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët u shpallën fajtorë më 16 shtator.
Para tyre, në Hagë ishin dënuar Nasim Haradinaj, Hysni Gucati, Salih Mustafa, Pjetër Shala, Haxhi Shala, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari.
Rastet e këtyre personave kanë përfunduar me dënime të ndryshme, varësisht nga akuzat për të cilat janë gjetur fajtorë.
Salih Mustafa dhe Pjetër Shala janë dënuar për krime lufte, ndërsa Gucati, Haradinaj, Haxhi Shala, Januzi dhe Bahtijari janë dënuar në rastet që lidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë.
Dënimet kanë pësuar ndryshime edhe pas shqyrtimit në Apel.
Mustafa, i njohur si “Cali”, ishte dënuar fillimisht me 26 vjet burgim. Më pas, Apeli e uli dënimin në 22 vjet, ndërsa pas rishqyrtimit ai u caktua përfundimisht në 15 vjet.
Edhe Pjetër Shala kishte marrë fillimisht 18 vjet burgim, por dënimi i tij më vonë u reduktua në 13 vjet.
Vendimi i 16 shtatorit solli dënimet më të fundit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet.
Sipas aktgjykimit, katër të akuzuarit u shpallën fajtorë për vepra që përfshijnë ndalimin arbitrar të 385 personave, trajtimin mizor të 49 personave, torturimin e 303 personave dhe vrasjen e 96 personave.
Statistikat e Gjykatës Speciale janë krahasuar edhe me përvojën e tribunaleve të tjera ndërkombëtare.
Në Gjyqin e Nurembergut, pas Luftës së Dytë Botërore, tre nga 22 të akuzuarit kryesorë u shpallën të pafajshëm.
Shembuj të lirimeve nga akuzat ka pasur edhe në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Ky institucion dënoi 93 persona, ndërsa 18 të tjerë u liruan.
Në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për Ruandën, 61 persona u dënuan, ndërsa 14 u shpallën të pafajshëm.
Shembullin e Nurembergut e kishte përmendur edhe avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, gjatë fjalës përfundimtare në procesin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Ai kishte argumentuar se edhe në një gjykim të madh ndërkombëtar si Nurembergu kishte pasur raste kur të akuzuarit ishin liruar, pasi nuk ishte provuar përgjegjësia e tyre për krimet.
Në Kosovë, vendimi i 16 shtatorit është kundërshtuar përmes protestave.
Qytetarë të shumtë janë mbledhur në Prishtinë në ditët pas aktgjykimit, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj dënimeve të shqiptuara ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.








