Vendimi i mesfushorit të talentuar Erblin Osmani për ta përfaqësuar Kosovën ka tërhequr vëmendjen e mediave gjermane, të cilat kanë komentuar zgjedhjen e 17-vjeçarit.
Osmani, pjesë e akademisë së Bayern Munichut, është përfshirë në listën e përzgjedhësit Franco Foda për ndeshjet e Ligës së Kombeve.
17-vjeçari, i cili më herët ishte kapiten i Gjermanisë në grupmoshat e reja, i ka dhënë përgjigje pozitive Kosovës, duke zgjedhur të vazhdojë rrugëtimin ndërkombëtar me “Dardanët”.
Gazeta gjermane “Bild” e ka cilësuar vendimin e Osmanit si një tjetër humbje për Kombëtaren e Gjermanisë.
“Tjetër goditje për Kombëtaren e Gjermanisë. Ylli në ngritje Erblin Osmani ka refuzuar të luajë për Gjermaninë. Ai është ftuar nga Kosova për herë të parë”, shkruan “Bild”.
Megjithatë, mediumi gjerman thekson se dera për Gjermaninë nuk është mbyllur plotësisht, pasi ftesa dhe paraqitjet me Kosovën nuk e bëjnë automatikisht zgjedhjen përfundimtare.
Sipas “Bild”, aktivizimi në ndeshjet e ardhshme ndërkombëtare do të jetë vendimtar, ndërsa pas katër paraqitjeve për Kosovën në rrethana të caktuara, Osmani nuk do të mund të ndryshojë më përfaqësuesen.
Kosova gjatë kësaj periudhe pritet të zhvillojë katër ndeshje, ndaj Irlandës, Austrisë në dy raste dhe Izraelit.








