Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka bërë të ditur se do t’i propozojë Këshillit Bashkiak që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të shpallen Qytetarë Nderi të Tiranës.
Në një deklaratë nga paraburgimi, Veliaj ka thënë se vendimi i dhënë në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së e ka tronditur thellë, ndërsa ka theksuar se procesi juridik duhet të ndjekë rrugën e tij.
“Vendimi i dhënë në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit më ka tronditur thellë. Sigurisht procesi juridik ka rrugën e vet dhe drejtësia duhet të ndjekë deri në fund procedurat dhe standardet e saj. Por ne shqiptarët kemi edhe përgjegjësinë për të kujtuar.”
Veliaj ka thënë se nisma e Tiranës nuk synon të zëvendësojë drejtësinë me politikën apo të ndikojë në vendimmarrjen e gjykatës, por të shprehë mirënjohjen për kontributin e tyre historik.
“Ndaj sot dua që Tirana të flasë. Tirana nuk është vetëm kryeqyteti i Republikës së Shqipërisë, por kryeqendra e shqiptarisë. Për këtë arsye, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, do t’i propozoj Këshillit Bashkiak që: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të shpallen Qytetarë Nderi të Tiranës.
Sigurisht jo për ta zëvendësuar drejtësinë me politikën. Jo për t’i treguar një gjykate se çfarë duhet të vendosë. Por për të ushtruar të drejtën e qytetit tonë për të shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin e vet për kontributin e tyre historik në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe shtetësisë.”
Ai ka deklaruar se Tirana nuk mund t’ua japë lirinë katër ish-krerëve të UÇK-së, por sipas tij, mund t’i nderojë ata.
Veliaj u ka bërë thirrje edhe kryetarëve dhe këshillave bashkiakë të qyteteve të tjera shqiptare që të ndërmarrin nisma të ngjashme.
“E nga Tirana dua t’u drejtohem edhe kryetarëve dhe këshillave bashkiakë të qyteteve të tjera shqiptare, të nderojnë si Tirana. Pasi këta katër burra nuk janë pjesë vetëm e historisë së një qyteti. Ata janë pjesë e historisë së Kosovës dhe përmes saj, e historisë sonë shqiptare. Le t’u tregojmë familjeve të tyre se nuk janë vetëm. Le t’u tregojmë shqiptarëve të Kosovës se Shqipëria nuk e harron Kosovën. Le t’u tregojmë brezave që vijnë se një shoqëri mund të respektojë drejtësinë dhe njëkohësisht, të ruajë kujtesën e vet historike.”
Në deklaratën e tij, Veliaj është ndalur edhe te situata personale, duke thënë se prej 19 muajsh ndodhet në izolim dhe pa mundësi reale për të ushtruar mandatin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Megjithatë, ai ka thënë se çështja e Kosovës dhe kujtesa për luftën e saj për liri janë më të mëdha se drama e tij personale.
“Prandaj sot, nga vendi ku ndodhem, dua t’u them Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit: Procesi juaj juridik do të vazhdojë. Drejtësia do të ndjekë rrugën e saj. Por edhe kujtesa jonë do të ndjekë të vetën. Nuk do ta harrojmë Kosovën e represionit dhe të dëbimeve. Nuk do t’i harrojmë ata që humbën jetën. Nuk do t’i harrojmë familjet që sakrifikuan gjithçka dhe nuk do ta harrojmë kontributin e atyre që morën përgjegjësi në luftë dhe më pas në ndërtimin e shtetit të Kosovës.”
Në fund, Veliaj ka thënë se liria duhet të ruhet, mbrohet, kujtohet dhe nderohet, duke e mbyllur deklaratën me një mesazh për katër ish-krerët e UÇK-së.








