Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, pas protestës mbarëpopullore në Prishtinë kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, i ka bërë thirrje deputetit të LDK-së, Anton Quni, që të tërhiqet nga politika.
Musliu iu referua një deklarate të mëhershme të Qunit, duke thënë se ai kishte deklaruar se do ta linte politikën nëse Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli do të përfundonin në burg.
“Përmes jush, i bëj thirrje Anton Qunit të tërhiqet nga politika, sepse nëse ju kujtohet, Anton Quni pati thënë ‘kur të jenë në burg Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, unë do ta lë politikën’. Prandaj, nëse je veç pak i përgjegjshëm ndaj kësaj që ke thënë, jep dorëheqje nga politika”, tha Musliu.
Ajo tha se pjesëmarrja e PDK-së në protestë nënkupton mbështetjen e kërkesave të qytetarëve dhe veteranëve të UÇK-së.
Musliu shtoi se ka edhe dy kërkesa të tjera, duke kërkuar dorëheqjen e Donika Gërvallës dhe Dimal Bashës.
“Përveç Donika Gërvallës, duhet të japë dorëheqje edhe Dimal Basha, sepse punimet shkencore të Dimal Bashës janë të dëmshme po aq sa janë të dëmshme edhe mbledhja e dosjeve nga Donika Gërvalla”, deklaroi ajo.








