Charles L. Smith III, gjyqtari amerikan që më 16 shtator kryesoi panelin e Gjykatës Speciale që dënoi Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, kishte qenë më herët pjesë e EULEX-it në Kosovë, periudhë gjatë së cilës ndaj tij u ngritën pretendime për ndërhyrje në procese gjyqësore.
Smith shërbeu si gjyqtar i EULEX-it nga viti 2010 deri më 2013 dhe gjatë kësaj kohe ishte edhe anëtar i Gjykatës Supreme të Kosovës. Në vitin 2013 ishte zgjedhur kryetar i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it.
Akuzat ndaj tij u bënë publike nga Malcolm Simmons, ish-kryetar i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, i cili pas largimit nga misioni akuzoi drejtues të tij për korrupsion, ndërhyrje politike dhe presion ndaj gjyqtarëve e prokurorëve.
Në vitin 2021, Insajderi publikoi dëshminë 110-pikëshe të Simmonsit, të cilën ai ia kishte dorëzuar kryeministrit Albin Kurti.
Një prej rasteve kryesore të përmendura nga Simmons ishte “Kleçka”, ku Fatmir Limaj dhe persona të tjerë po gjykoheshin për krime lufte. Sipas Simmonsit, EULEX-i kishte interes që Limaj të dënohej për shkak të rëndësisë politike që rasti kishte në raport me dialogun Kosovë–Serbi.
Sipas dëshmisë së Simmonsit, Charles Smith, atëherë kryetar i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, i kishte dërguar një email më 29 janar të 2013-ës, ku kërkonte që çështja e Limajt të procedohej sa më shpejt, duke iu referuar “një numri arsyesh, shumica politike”. Simmons më tej pretendonte se, pasi ishte caktuar në panelin e rastit, Smith i kishte thënë se misioni “priste” dënime dhe se puna e tij mund të rrezikohej nëse të akuzuarit nuk dënoheshin.
“Kur u caktova në trup gjykues, më 2013 Charles Smith më informoi që misioni “varej shumë” nga rezultati i këtij rasti. Ai tha që misioni “priste dënime.” Madje ai tha që puna ime mund të rrezikohej nëse të pandehurit nuk dënoheshin. Gjyqtari Charles Smith tani është gjyqtar në Dhomat e Specializuara të Kosovës”.
Simons zbulon edhe raste tjera të ndërhyrjes së Charles Smith. Sipas pretendimeve të tij, Smith i kishte ndërhyrë edhe gjyqtares Mariola Plasnik dhe gjyqtarit Viktor Pardal.
“Më 18 korrik 2013 Gjyqtarja Pasnik mori një email nga Charles Smith në të cilin Charles Smith u shfaq duke i dhënë udhëzime gjyqtares Pasnik se si të procedonte çështjen për një lëndë në të cilën ajo ishte kryetare e trupit gjykues”, thotë ai.
“Unë isha gjithashtu i pranishëm në datat 11 dhe 15 korrik 2013 kur gjyqtarja Pasnik pranoi një thirrje telefonike nga Charles Smith me ç‘rast ajo vuri bisedën në altoparlant gjatë së cilës Charles Smith, u përpoq të ndërhynte në të njëjtin rast duke sugjeruar që ajo të shqiptojë një dënim me burg. Këto biseda i shënova në një email gjatë kësaj kohe të drejtuar gjyqtares Pasnik”, shkruante në padi Simons.
Ka përmendur ndërhyrjet që ishin bërë gjyqtarit tjetër Vitor Pardal. Vetë Pardal kishte treguar se si Charles Smith dhe zëvendësi i tij, Gerrit Sprenger, kishin provuar të ndërhyjnë në një nga lëndët e tij.
“Në të vërtetë, ai (Pardal v.j.) pretendonte se procedurat e mëpasshme disiplinore që u ngritën kundër tij ishin rezultat i refuzimit të tij për të ndjekur udhëzimet e tyre në atë rast të veçantë”, shkruan në padi.
Për këtë rast të mosbindjes, Simons thotë se Charles Smith me t’u kthyer nga një udhëtim në Bruksel i kishte thënë se ishin diskutuar procedura disiplinore kundër Vitor Pardal.
“Ai (Smith v.j.) tha se i tha stafit të SHJBE (EEAS) në Bruksel se gjyqtari Pardal ‘duhej të shkonte’ dhe se ‘është puna ose ai ose unë’”, pretendon Simons.
Këto ishin pretendime të Simmonsit, të cilat Insajderi i publikoi bazuar në dëshminë dhe dokumentet e tij. Në raportimet e atëhershme u përfshi edhe qëndrimi i EULEX-it se ndaj Simmonsit vetë ishin zhvilluar hetime për akuza serioze dhe se misioni kishte kërkuar prej tij prova për pretendimet e ngritura.
“Ne jemi në dijeni për zhvillimin e një procedure civile në Mbretërinë e Bashkuar në lidhje me çështje të punësimit. EULEX-i nuk është palë e asaj procedure. Megjithatë, gjykata është duke shqyrtuar nëse EULEX-i duhet të jetë palë në atë procedurë civile. Meqë Mbretëria e Bashkuar ka një rregull për rregullimin e publikimit të çështjeve që janë nën shqyrtimin e gjykatës, ne nuk mund të komentojmë më tutje”, thuhej në një përgjigje të zyrës për media të EULEX-it.
Simmons kishte thënë se Qeveria e Kosovës duhet të reagojë pasi tha se Gjykata Speciale “është aty vetëm për t’i ndëshkuar ish-komandantët e UÇK-së”.








