Historiani Clewing: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së s’e merr parasysh sa duhet strukturën e një lufte guerile

A e ndryshon vendimi i Hagës mënyrën si duhet parë UÇK-ja? Historiani Konrad Clewing flet për fajin individual, luftën e Kosovës dhe kufijtë e gjykimit historik.

DW: Zoti Clewing, Gjykata Speciale i shpalli Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin fajtorë për krime lufte, ndërsa i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit. Si e vlerësoni këtë vendim si historian?


Konrad Clewing: Nga njëra anë, gjykata arriti më mirë se prokuroria të dallojë përgjegjësinë individuale të të akuzuarve. Prokuroria kishte kërkuar nga 45 vjet burg për secilin prej të katërve. Gjykata tani bën një diferencim më të madh dhe arrin në dënime shumë të ndryshme. Megjithatë, për mua si historian mbetet një vështirësi themelore. Gjykata vazhdon të punojë me konceptin e “Joint Criminal Enterprise”, pra të një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale. Dhe këtu, sipas meje, ekziston rreziku që përgjegjësia individuale dhe përgjegjësia e një grupi të shkrihen sërish me njëra-tjetrën. Dhe sipas mendimit tim, vendimi nuk e merr sa duhet parasysh strukturën e veçantë të një lufte guerile.

DW: Në ç’kuptim?


Clewing: Një pikë që mua, si historian, më duket veçanërisht e çuditshme është kjo: në rastin e Thaçit, gjykata cakton një dënim individual prej 15 vjetësh për arrestim dhe privim lirie të paligjshëm ose arbitrar. Këtë e konsideroj historikisht të rëndësishme. Si mund të veprojë ushtarakisht një forcë guerile që nuk mund të marrë askënd rob?

Një pikë e dytë lidhet me dënimin e Rexhep Selimit. Sipas mënyrës se si e lexoj unë arsyetimin e vendimit, atij i atribuohet përgjegjësi edhe për faktin se ka marrë pjesë në ndarjen e zonave operative dhe, si rrjedhojë, edhe për burgjet e paligjshme që ekzistonin në këto zona. Si historian, këtu shoh një problem: vetë fakti që dikush ka marrë pjesë në ndarjen e zonave ushtarake nuk mund të përbëjë krim në vetvete. Vendimtare është se çfarë përgjegjësie konkrete ka pasur ai për burgjet e paligjshme dhe për krimet e kryera aty.


Interesante ishte edhe se gjatë caktimit të dënimit, gjykatësi tha se lartësia e dënimeve duhet të japë edhe një sinjal për komunitetin ndërkombëtar dhe jurisprudencën ndërkombëtare. Natyrisht, është e rëndësishme të thuhet: dhuna e paligjshme dhe vrasjet ndëshkohen. Por nuk mund të jetë qëllimi që luftërat partizane dhe guerile të bëhen praktikisht të pamundura. Përndryshe, edhe dikush që bën rezistencë për një kauzë sado të drejtë do ta kishte pothuajse të pamundur të merrte përgjegjësi ushtarake në një luftë guerile.

DW: Zëvendëskryeministri i Serbisë dhe ministri i Brendshëm, Ivica Dačić, e sheh këtë vendim si dëshmi se UÇK-ja ka qenë një “organizatë kriminale dhe terroriste”. A fiton me këtë vendim më shumë peshë edhe narrativa e Milosheviçit për luftën?

Clewing: Vetë gjykata thotë se nuk ka gjykuar legjitimitetin e luftës. Dhe ajo nuk është përpjekur as t’i vërë krimet e UÇK-së në peshore me krimet e forcave serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës. Ky vendim përcakton përgjegjësinë individuale të personave konkretë. Nga kjo nuk mund të nxirret automatikisht një vlerësim historik për gjithë luftën. Edhe pavarësia e Kosovës, sipas meje, nuk preket në legjitimitetin e saj nga ky vendim. Shumica shqiptare në Kosovë, pas viteve të represionit, kishte arsye shumë të forta për të mos dashur më të ishte pjesë e Serbisë. Në këto arsye historike vendimi nuk ndryshon asgjë.

DW: Gjermania i ka mbështetur politikisht dhe financiarisht Dhomat e Specializuara të Kosovës. A çon ky vendim tani në një rivlerësim të bashkëpunimit të atëhershëm të Perëndimit me UÇK-në?

Clewing: Së pari duhet parë kronologjia. Pjesa dërrmuese e veprave për të cilat ata janë dënuar tani kanë ndodhur në pranverën e vitit 1999. Para kësaj, me sa shoh unë, kishte vetëm pak raste relevante. Nëse do të thoshim se që atëherë duhej thënë: me ju nuk bashkëpunojmë, sepse jeni kriminelë, atëherë do ta bënim kusht për bashkëpunimin që një palë në luftë t’i kishte duart krejtësisht të pastra. Në një luftë është praktikisht e pamundur t’i mbash duart krejtësisht të pastra. Prandaj edhe këtu duhet parë dinamika e përgjithshme e luftës: kronologjia, krimet e palëve të ndryshme dhe pyetja se me kë bashkëpunon në këto rrethana dhe kujt i jep mbështetje.

Konrad Clewing është historian i Evropës Juglindore në Institutin Leibniz për Studime të Evropës Lindore dhe Juglindore në Regensburg. Ai është ekspert për Kosovën dhe historinë e Ballkanit Perëndimor.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit