Pas aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, e ka cilësuar vendimin si konfirmim të vonuar të pretendimeve të Serbisë se UÇK-ja ishte “organizatë kriminale dhe terroriste”.
Daçiq ka thënë gjithashtu se gjykata nuk shkoi mjaftueshëm larg, pasi i hodhi poshtë pikat e aktakuzës që lidhen me krimet kundër njerëzimit.
Ndaj deklaratave të tij ka reaguar aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq.
Kandiq ia ka kujtuar Daçiqit historinë e partisë së tij, duke e lidhur Partinë Socialiste të Serbisë (SPS) me varrezat masive në Serbi, ku u gjetën trupat e shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.
Ajo ka përmendur Batajnicën, Petrovo Sellon, Rudnicën, minierën e Kizhevakut dhe Liqenin e Peruçacit, duke theksuar se këto raste janë dokumentuar dhe konfirmuar edhe përmes vendimeve gjyqësore.
“SPS = varre masive në Serbi”, ka shkruar Kandiq, duke shtuar se bëhet fjalë për një fakt të vërtetuar dhe të konfirmuar nga vendimet gjyqësore.
Partia Socialiste e Serbisë u themelua dhe fillimisht u drejtua nga Slobodan Millosheviqi.








