Ali Ahmeti pas dënimit të krerëve të UÇK-së: Vendim i padrejtë dhe thellësisht zhgënjyes

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka reaguar pas aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar vendimin si të padrejtë dhe thellësisht zhgënjyes.

Ahmeti ka bërë thirrje për maturi dhe unitet, duke paralajmëruar që pakënaqësia pas vendimit të mos shndërrohet në tensione apo përçarje.

“Në këto momente të rënda, bëj thirrje për maturi dhe unitet. Nuk duhet të biem në asnjë grackë që synon të krijojë tensione, përçarje apo të njollosë luftën çlirimtare të popullit në Kosovë”.

Ahmeti ka renditur edhe disa çështje që, sipas tij, duhet të mbahen në vëmendje sa herë që UÇK-ja paraqitet si “ndërmarrje kriminale”.

“UÇK-ja lindi si përgjigje ndaj shtypjes dhe luftoi për lirinë e Kosovës. Pretendimet e dikurshme për trafikim organesh, që rënduan për vite mbi UÇK-në dhe drejtuesit e saj, nuk u shndërruan në akuza në këtë proces. Po ashtu, sot Gjykata i shpalli të pafajshëm të akuzuarit për krime kundër njerëzimit; dhe potencoi se UÇK kishte pasur objektiv pavarësine e Kosovës, objektiv ky që edhe u arrit. Këto janë fakte që duhet të kujtohen sa herë që dikush përpiqet ta paraqesë UÇK-në si ndërmarrje kriminale”.

Sipas Ahmetit, procesi gjyqësor nuk përfundon me vendimin e shkallës së parë, pasi mbrojtja pritet ta vazhdojë betejën juridike në Apel.

“Besojmë se mbrojtja do ta vazhdojë betejën juridike në Gjykatën e Apelit, duke kundërshtuar gjetjet e shkallës së parë dhe duke kërkuar drejtësi deri në fund”.

Ai ka folur edhe për akuzat ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.

“Aktakuza i ngarkonte Thaçin, Krasniqin, Veselin dhe Selimin me përgjegjësi për një sërë krimesh të pretenduara gjatë viteve 1998-1999. Besojmë se edhe këto akuza do të rrëzohen në procesin e mëtejshëm gjyqësor, ashtu siç nuk u materializuan pretendimet e dikurshme për trafikim organesh”.

Në fund, Ahmeti ka theksuar se, sipas tij, lufta e UÇK-së ishte luftë për liri dhe se historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet.

“Historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet dhe sakrifica e një populli të tërë nuk mund të vihet në bankën e të akuzuarve”.

“Me besim në drejtësi, beteja vazhdon në apel!”.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit