Mustafa propozon “Koalicionin për Normalitet” mes LVV-së e PDK-së

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rrustem Mustafa, ka propozuar një platformë politike për zhbllokimin institucional të Kosovës, të cilën e ka emërtuar “Koalicioni për Normalitet”.

Mustafa ka thënë se Kosova nuk ka nevojë për trazira të reja politike dhe as për kriza që, sipas tij, mund të përdoren më vonë si justifikim për pranimin e një realiteti që mund të ndryshohet tani.

Sipas tij, zgjidhja për krizën institucionale ekziston përmes vullnetit politik të shumicës parlamentare të përbërë nga Lëvizja Vetëvendosje, PDK-ja dhe komunitetet joshumicë.

Ai propozon që kjo shumicë të ndërtojë një “Pakt për Shtetin”, të bazuar në tri shtylla: legjitimitetin, balancën dhe stabilitetin presidencial, si dhe përfaqësimin e komuniteteve joshumicë.

Në kuadër të shtyllës së parë, Mustafa thotë se LVV-së, si forcës së parë parlamentare, duhet t’i njihet roli udhëheqës në institucione dhe përgjegjësia kryesore për drejtimin e Qeverisë dhe Kuvendit.

Ndërkaq, për PDK-në propozon një rol në garantimin e kontrollit demokratik, balancës institucionale dhe orientimit euroatlantik. Si pjesë të këtij ekuilibri, Mustafa propozon që PDK-ja të udhëheqë me Presidencën.

“PDK merr përgjegjësinë për të garantuar kontrollin demokratik, balancën institucionale dhe orientimin euroatlantik përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të qëndrueshme për ndarjen e përgjegjësive. Si pjesë e këtij ekuilibri shtetëror, partitë e koalicionit marrin obligim që PDK të udhëheqë me Presidencën”, ka shkruar ai.

Mustafa ka kërkuar gjithashtu që komuniteteve joshumicë t’u garantohet përfaqësimi i plotë dhe roli i tyre kushtetues në institucionet e Republikës së Kosovës.

Në platformën e tij, deputeti i PDK-së ka renditur edhe katër parime shtetërore: partneritetin euroatlantik, vizionin kombëtar, mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare dhe përgjegjësinë shtetërore.

Ai ka kërkuar që Qeveria e Kosovës të ndërtojë bashkëpunim të qëndrueshëm dhe strategjik me SHBA-në dhe NATO-n, ndërsa institucionet, sipas tij, duhet të përafrohen më shumë me Shqipërinë dhe shqiptarët në rajon.

Mustafa ka kërkuar gjithashtu që shteti të afrohet me ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke hequr, siç ka thënë, pengesat ligjore, propagandistike apo administrative që i ndajnë ata nga institucionet dhe narrativa zyrtare e shtetndërtimit.

Në fund, Mustafa i është drejtuar drejtpërdrejt kryetarit të LVV-së, Albin Kurtit, duke thënë se “çelësi është në duart e tua”.

“Si udhëheqës i forcës më të madhe parlamentare, ke përgjegjësinë për ta hapur këtë tryezë. Ky propozim njeh legjitimitetin tuaj, por kërkon balancë dhe garanci për shtetin”, ka shkruar Mustafa.

Ai ka shprehur bindjen se PDK-ja është e gatshme të marrë pjesën e saj të përgjegjësisë, duke bërë thirrje për një marrëveshje politike që do t’i jepte fund bllokadës institucionale.

“Ka një rrugë tjetër: marrëveshje politike, përgjegjësi dhe vullnet për ta ndërtuar shtetin normal”, ka deklaruar Mustafa.

Ai e ka përmbyllur propozimin me mesazhin: “Nga bllokada te institucionet. Nga përplasja te përgjegjësia.”

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit