Më pak se 48 orë kanë mbetur deri te shpallja e vendimit ndaj katërshes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjykata Speciale në Hagë do ta shpallë aktgjykimin të mërkurën, në ora 10:00.
Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, ngarkohen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Për të gjitha pikat e dosjes së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, katërshja është deklaruar e pafajshme.
Ekipet mbrojtëse të tyre, në fjalët e fundit para trupit gjykues në Hagë, kanë kërkuar shpalljen e pafajësisë.
Përbërja e ekipeve mbrojtëse të secilit prej ish-krerëve të UÇK-së është si vijon:
Ish-presidenti Hashim Thaçi mbrohet nga Luka Mishetiq, i cili është kryembrojtësi. Në ekipin e tij bëjnë pjesë Pier Rishar Prosper, Dastid Pallaska, Sofi Menegon dhe Nina Tavakoli, në cilësinë e bashkëmbrojtësve.
Më 11 shkurt të këtij viti, gjatë deklaratave përmbyllëse para trupit gjykues, Mishetiq ishte treguar i ashpër.
Ai i kishte kërkuar gjykatësve që, si pikënisje gjatë marrjes së vendimit, ta kenë një gjë: Hashim Thaçi është i pafajshëm.








